Gjyqtarët e Kosovës të gatshëm për rifillimin e Superligës
Gjyqtarët e Superligës së Kosovë gjatë ditës së sotme i janë nënshtruar testit për koronavirus, pak 1ditë para se të rikthehet futbolli kosovar.
Kanë qenë gjithsej 46 gjyqtarë të cilët u janë nënshtruar këtij testi dhe 14 kontrollues të ndeshjeve.
Përpos testit për koronavirus, gjyqtarët kanë përfunduar edhe testet e fundit fizike, të cilët bëhen para çdo fillimi të kampionatit. Kryetari i gjyqtarëve të Kosovës, Përparim Hasani, u shpreh se të gjithë ata janë gati për të gjykuar ndeshjet e mbetura të Superligës së Kosovës
“Qysh në fillim të pandemisë, trajneri i fitnesit e ka përpiluar një program të stërvitjeve, e kemi shpërnda për të gjithë referët. E kemi ditur që është pak vështirë por sipas të dhënave dhe sipas kontakteve me referët që i kam pasur tërë kohë gjatë gjithë pandemisë, referët e kanë zbatuar atë programin që ju kemi dërguar, kështu unë besoj dhe shpresoj që sot nuk do ti kenë problem”, u shpreh ai.
Hasani gjithashtu u shpreh se edhe në Superligë do të zbatohet rregulli i ri me 5 ndërrime në ndeshjet e mbetura.
“Ne po e zbatojmë atë ndërrimin që e kemi bërë, pesë ndërrime edhe ju kemi dërguar të gjitha klubeve, të gjithë referët e dinë atë sipas rregullit të UEFA-s, pesë ndërrime me i bo me tre stopa, kështu që unë besoj që do ta kuptojnë atë dhe do ta zbatojnë ashtu siç duhet”, përfundoi Hasani.
Gjyqtari i njohur kosovar, Genc Nuca u shpreh tejet i gatshëm për të gjykuar ndeshjet e mbetura në Supërligë. Sipas tij të gjithë referët kanë mbajtur formën dhe do të mundohen të japin më të mirën në fushë, raporton KP.
“Besoj që ne, edhe tash me përgatitjet fizike që do të testohemi sot, jemi të gatshëm për një fillim të mbarë sepse edhe me bisedat me kolegët tjerë, secili prej tyre ka qenë aktiv gjatë kësaj kohe, dikush më pak, dikush më shumë por që në fund mund të them lirisht se ne jemi të përgatitur për të rifilluar sezonin”, theksoi ai.
Gjatë kohës së pandemisë, Nuza u shpreh se ka vazhduar aktivitet e tij, si çdo koleg tjetër i tij ani pse kanë hasur në shumë vështirësi, për shkak të mbylljeve të stadiumeve.
“Realisht unë çdo ditë kam ushtruar, në fakt kur filloj kjo ndalesa në hyrje të stadiumeve atëherë na u vështirësua pak puna sepse ne aktivitetet stërvitore mundohemi ti bëjmë në fusha të futbollit, por ma merr mendja që ka qenë një mbajte e formës e mirë dhe po besoj që kemi me qenë të gatshëm”, përfundoi Nuza.
Kujtojmë që futbolli kosovar do të rikthehet javën e ardhshme me ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Të mërkurën do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe Feronikelit, ndërkohë që të nesërmen luhet gjysmëfinalja tjetër ndërmjet Prishtinës dhe Drenicës.