Gjyqtarët e Kushtetueses refuzuan t’i marrin pagat pa rritje
Edhe pse ka kaluar një muaj nga koha kur është bërë publik vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili jepte dritën e gjelbër vendimit të Qeverisë Haradinaj për ngritjen e pagave, vetë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk e kanë marrë pagën me rritje siç përcaktohet me vendim.
Shtatë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të cilët kanë vlerësuar se vendimi i Qeverisë nuk bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, megjithatë nuk i kanë pranuar pagat e tyre me rritjen që u shkaktoi vendimi i Qeverisë.
Lajmin për “Kallxo.com” e ka konfirmuar drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese, Veton Dula.
“Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk i marrë pagat me rritje”, është thënë në përgjigjen e zëdhënësit Dula.
Më 21 dhjetor të vitit të kaluar ishte raportuar se kryeministri Haradinaj do të ketë një pagë që arrin dyfishin e asaj aktuale.
Krejt kjo pasi që në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ishte votuar një vendim sipas të cilit rroga e Haradinajt do të ishte hiç më pak se 2 mijë e 950 euro. Paga e kryeministrit para rritjes ishte 1 mijë e 443 euro.
Përveç pagës së kryeministrit, vendimi i Qeverisë ka prekur edhe pagat e ministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve politikë, shefave të kabineteve e zyrtarëve tjerë brenda Qeverisë së Kosovës që përfituan rritje të ndjeshme në pagat e tyre.
Vendimi i Qeverisë për ngritjen e pagave pati jehonë të madhe në publik dhe ishte kundërshtuar e ironizuar fuqishëm në opinionin publik, ndërsa rreth një muaj më pas, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) pati nxjerr një opinion ku kishte gjetur se ka pasur konflikt të interesit me rastin e ngritjes së pagave.
AKK-ja kishte rekomanduar anulimin e vendimit për rritjen e pagave. Edhe pse AKK-ja përmes opinionit ishte shumë e qartë se ka pasur konflikt të interesit, Qeveria e Kosovës nuk e pati përfillur këtë opinion fillimisht, por pas disa ditësh, kryeministri Haradinaj kishte njoftuar për pezullimin e këtij vendimi edhe pse e quajti të ndikuar politikisht.
Më 11 qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e saj sipas së cilit vendimi i Qeverisë Haradinaj nuk kishte cenuar Kushtetutën e vendit.