Gjyqtarët mbajnë seminar për implementimin e protokollit të sistemit VAR
Federata e Futbollit e Kosovës në prag të fillimit të garave të stinorit pranveror ka organizuar seminarin dyditor për gjyqtarët e Superligës dhe Ligës së Parë, në ambientet e stadiumit të “Fadil Vokrri” në të cilin ka ligjëruar instruktori i UEFA-së, Sokol Jareci.
Ky seminar vjen pas testeve fizike, të cilat gjyqtarët arritën t’i kryejnë me sukses gjatë mesjavës së kaluar.
“Në hap me projektin e kryetarit Ademi që VAR-i të implementohet në afatin sa më të shkurtër të mundshëm, temë bosht e këtij seminari ishte pikërisht implementimi i protokollit VAR. Tema të tjera të këtij seminari ishin edhe ndërhyrjet në zonën e 16-metërshit, bashkëpunimi & puna në grup dhe loja me dorë, ku gjyqtarët u udhëzuan mbi interpretimet më të reja të rregullave të lojës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Në mesjavë do të fillojnë ndeshjet e Kupës së Kosovës, për të vazhduar në fundjavë me fillimin e stinorit pranveror në Superligë, andaj Komisioni i Gjyqtarëve siguron se gjyqtarët janë të gatshëm për përmbushjen e detyrave të tyre në ndeshje.
/Epoka e re/