
Gjyqtari Bejtullahu: Bëra dy gabime të rënda, VAR-i nuk thirri për rishikim
Ndeshja e Superligës mes Dukagjinit dhe Gjilanit përfundoi me rezultat të barabartë 0-0. Pas kësaj ndeshje ankesa të mëdha pati skuadra mysafirë që pretendoi se u dëmtua dy herë nga gjyqtari Mervan Bejtullahu, i cili nuk akordoi dy penallti. Një ditë pas kësaj ndeshje ka reaguar gjyqtari Bejtullahu, duke pranuar gabimet e bërë në këtë ndeshje.
“Pas një karriere të gjatë dhe të përkushtuar, mbi 17 vite në Kosovë dhe vitet e fundit edhe në arenën evropiane, ku kam pasur privilegjin të gjykoj ndeshje të rëndësishme, sot ndjej nevojën të bëj diçka që nuk e kam bërë kurrë më parë: të kërkoj falje publike. Analiza e thellë e videos nga ndeshja KF Dukagjini – SC Gjilani, e zhvilluar më 23 shkurt, ku unë isha referi kryesor, kam zbuluar dy gabime të rënda. Në minutën e 15-të dhe në minutat shtesë, kam neglizhuar dy penallti të qarta dhe të padiskutueshme në favor të Gjilanit”, ka thënë Bejtullahu.
Gjyqtari në fjalë ka bërë me dije se nuk është thirrur nga VAR-i për rikshikimin e këtyre rasteve.
“Pavarësisht pamjeve të qarta dhe teknologjisë VAR, nuk jam thirrur për rishikim në asnjë prej këtyre rasteve. Jam plotësisht i bindur se, nëse do të më ishte dhënë mundësia të rishikoja pamjet, do të kisha akorduar të dyja penalltitë. Në rastin e pare nuk isha i bindur, ndërsa në të dytin pozicionimi im i largët për shkak të një kundërsulmi ndikoi në gjykimin tim. Megjithatë, kjo nuk e justifikon gabimin tim”, ka shtuar ai.
Gjyqtari Mervan Bejtullahu i ka kërkuar falje skuadrës së Gjilanit dhe tifozëve “Skifterat”. Ai është zotuar se këto gabime do t’i marrë seriozisht dhe këto do t’i ndihmojnë që të përmirësohet për të ardhmen.
“Kërkoj ndjesë të sinqertë ndaj klubit të SC Gjilanit, tifozëve-Skifterave dhe gjithë qytetit për këto gabime të paqëllimshme. Dhe në fund unë ende nuk e di arsyen se pse VAR-i nuk më ftoi dhe në të dyja rastet vendosi në favor të ekipit të KF Dukagjinit. Me sinqeritet të plotë, shpresoj që kjo ndjesë të shërbejë si një shenjë e pendesës sime të thellë. Unë i marr këto gabime shumë seriozisht dhe do të punoj vazhdimisht për të përmirësuar gjykimin tim dhe për të siguruar që standardet e arbitrimit të jenë sa më të larta në të ardhmen”, ka deklaruar Bejtullahu.
/Epoka e re/