Gjyqtari Hashim Çollaku lirohet nga përgjegjësia disiplinore

15 korrik 2022 | 01:09

Gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Hashim Çollaku është liruar nga përgjegjësia disiplinore, për rastin ku Autoriteti Kompetent kishte kërkuar hetim disiplinor pasi ky i fundit duke qenë kryetar i kolegjit te Apelit, në çështjen PA I.m.1 000/20, ka vendosur përkundër faktit se bashkëshortja e tij, avokate në Prizren, kishte parashtruar ankesë e cila ishte objekt i shqyrtimit në këtë lëndë.

Sipas këtij vendimi, Hashim Çollaku, gjyqtar në Gjykatën e Apelit, nuk është përgjegjës për shkelje disiplinore të përcaktuara në nenin 5, paragrafi 1 pikat 1.2 e 1..3e lidhur me paragrafin 2 pika 2.6 dhe 2.15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Në vendim thuhet se KGJK me 28 janar 2022 ka pranuar nga Autoriteti Kompetent kërkesë për fillimin e hetimit disiplinor duke pretenduar se Çollaku mund të ketë kryer shkelje disiplinore.

“Kërkesë për  fillimin e hetimit disiplinor duke pretenduar se Hashim Çollaku , gjyqtar i Gjykatës së Apelit, mund të ketë kryer shkelje disiplinore nga neni 5, paragrafi 1, pikat 1.2-shkel ligjin, 1.3- shkel detyrat e tij si gjyqtar, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6-nuk raporton rastet e përjashtimit të mundshëm nga procedura kur kërkohet me ligj, dhe 2.15 -përfshihet në sjellje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e gjykatës ose mund të dëmtoj besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e gjyqësorit, të Ligjit për Përgjegjesinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, thuhet në vendim.

Tutje, thuhet se sipas pretendimit të Autoritetit Kompetent subjekti i hetimit disiplinor duke qenë kryetar i Kolegjit te Apelit, në çështjen PA I.m.1 000/20, i njëjti ka vendosur përkundër faktit se bashkëshortja e tij, avokate në Prizren, kishte parashtruar ankesë e cila ishte objekt i shqyrtimit në këtë lëndë.

“Autoriteti Kompetent ka kërkuar nga Këshilli, si organ kompetent, të fillojë hetimin disiplinor dhe ka propozuar që ndaj të njëjtit, në rast se vërtetohet se ekziston shkelja disiplinore, t’i shqiptohet njëri nga sanksionet disiplinore të parapara sipas nenit 7, te Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, thuhet në këtë vendim.

Tutje, thuhet se është themeluar paneli hetimor, që ia ka paraqitur Këshillit raportin mbi faktet dhe provat e mbledhura lidhur me hetimin e bërë për shkeljen e pretenduar, ku pas pranimit të raportit, është mbajtur seanca dëgjimore.

Në vendim thuhet se subjekti i hetimit disiplinor, gjyqtari Hashim Çollaku, ka deklaruar se këtë çështje e ka pranuar me shqetësim shumë të madh, sepse si gjyqtar me përvojë prej 36 vitesh asnjëherë nuk ka qenë në procedurë disiplinore.

“Me tutje ka deklaruar se që nga viti 2013 është caktuar gjyqtar në Gjykatën e Apelit, ku fillimisht ka qenë udhëheqës i Divizionit Penal në Departamentin e Përgjithshëm dhe asnjëherë nuk ka pasur ndonjë parregullsi. Në vitin 2019 është caktuar udhëheqës i Departamentit për të Mitur. Sipas subjektit të hetimit, lëndët në  Gjykatën e Apelit ndahen me short. Administratori i Gjykatës i kishte ndarë lëndët në grupe dhe pastaj ushtruesi i detyrës se kryetarit të Gjykatës i ndan atë për secilin gjyqtar. Lënda kontestuese i është ndarë gjyqtari , i cili bazuar në rregulloren për organizimin e brendshëm të gjykatave ngarkohet me të gjitha te dhënat e lëndës. Si gjyqtar referues, Gjyqtari para trupit gjykues, kryetar i të cilit ka qenë subjekti i hetimit, nuk e kishte bërë të ditur emrin e avokatit mbrojtës të kësaj lende. Ai i ishte referuar avokatit me termin përfaqësues i autorizuar”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit, këtë gjendje faktike të paraqitur nga subjekti i hetimit, paneli hetimor e ka vërtetuar edhe me dy deklarata të dëshmitarëve te rastit, të cilët kanë qenë anëtarë të kolegjit përkatës për gjykimin e rastit në fjalë.

Tutje, në vendim përmenden provat që paneli hetimor ia ka bashkangjitur raportit.

Tutje, thuhet se subjekti i hetimit, ka deklaruar se gjithmonë kujdeset sa i përket lëndëve duke ju bërë me dije bashkëpunëtoreve profesionale dhe stafit tjetër që kur ta evidentojnë që në lëndën e caktuar bashkëshortja e tij është përfaqësuese e autorizuar të njoftohet.

“Për shkak të ngarkesës me një numër të madh të lëndëve ky rast nuk është vërejtur nga subjekti i panelit, anëtarët e kolegjit dhe stafi tjetër mbështetës. Për lëndën kontestuese nuk ishte hapur seancë sepse ka qenë rasti për seancë jashtë gjyqësore, nuk ka qenë publike. Aktgjykimin PA 1.nr.1 000/20, e ka përpiluar gjyqtari për shkak të ngarkesës së madh me Lëndë subjekti i hetimit nuk ka pasur mundësi që të shikoj krejt lëndën kontestuese”, thuhet tutje.

Sipas vendimit, kur lënda kontestuese ishte kthyer në Gjykatën Themelore në Prizren është njoftuar nga ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Gjykatës se është bërë një parregullsi.

“Subjekti i hetimi menjëherë kishte kërkuar nga prokuroria kompetente që të bëjnë kërkesë për mbrojtje te ligjshmërisë, Ka potencuar se përgjegjësi subjektive nuk ka sepse po te ishte njoftuar nga gjyqtari referues se kush është përfaqësues i autorizuar i cilës do palë, konform ligjit do të kërkonte menjëherë përjashtim”, thuhet në vendim.

Tutje, thuhet se pasi ishte bërë kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë për këtë lëndë në Gjykatën Supreme, aktgjykimi është anuluar dhe e njëjta ka kaluar prapë në procedurë për të cilën kishte vendosur një kolegj tjetër.

“Pasojë juridike sa i përket kësaj lënde nuk ka pasur sepse është riparuar sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë. Subjekti i hetimit ka kërkuar nga Këshilli të lirohet nga përgjegjësia disiplinore sepse nuk ka shkelje disiplinore të pëcaktuara në Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, thuhet tutje.

Vendimi thotë se pas vlerësimit të provave të administruara dhe deklaratës së subjektit të hetimit, Këshilli në seancën dëgjimore të mbajtur me 31 maj 2022 ka konstatuar se subjekti i hetimit në rastin e procedimit të çështjes penale me shenjën PA1.m.l000/20, nuk ka shkelur standardet e përcaktuara në nenin 5, paragrafi 1, pikat 1.2 e 1.3 e lidhur me paragrafin 2 pika 2.6 dhe 2.15 te Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

“Këshilli ka gjetur se subjekti i hetimit gjyqtari Hashim Çollaku nuk është përfshirë në shkelje disiplinore me rastin e shqyrtimit dhe vendosjes në çështjen penale PAl.m.l 000/20. Sipas të gjeturave të vërtetuara me fakte dhe prova nga ana e Këshillit lënda PA l.nr.I 000/20 i kishte ndarë gjyqtarit i cili ka qenë edhe gjyqtar referues. Gjatë referimit të lëndës kontestuese, gjyqtari i lëndës nuk ja kishte deklaruar emrin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, në këtë rast avokates e cila është edhe bashkëshortja e subjektit të hetimit, ankesa e së cilës ka qene duke u trajtuar”, thotë vendimi.

Si rrethanë për lirim nga përgjegjësia, thuhet se Këshilli mori edhe faktin se nga prokuroria kompetente është parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë dhe Gjykata Supreme ka anuluar aktgjykimin, ku lënda kontestuese është kthyer në procedurë, për të cilën ka vendosur një kolegj tjetër dhe në këtë rast nuk ka pasur kurrfarë efekti juridik.

Sipas vendimit, me shumicë të votave është arritur në përfundimin se subjekti i hetimit nuk është përgjegjës për shkelje disiplinore si ka pretenduar Autoriteti Kompetent./BetimipërDrejtësi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Propaganda ruse ka dështuar edhe përmes kanaleve mediatike serbe që…