Gjyqtari i Speciales bën pesë herë një pyetje për “rrëmbimet nga UÇK-ja”, edhe pse dëshmitari thotë se s’i ka parë
Për dy ditë me radhë, Rrustem Tetaj, dha dëshmi në Dhomat e Specializuara të Hagës, në rastin e krerëve të UÇK-së.
Ai nuk hezitoi të flas për asnjë pyetje nga Prokuroria, avokatët apo gjyqtarët. Ishte vetëm një temë për të cilën Tetaj tha se ka dëgjuar thashetheme, por nuk ka parë asgjë.
Në pyetjet e gjyqtarit gjerman, Kristof Barthe, se a ka pasur persona të rrëmbyer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Tetaj tha se ka dëgjuar thashetheme të ndryshme, por nuk ka parë asgjë. Si rezultat, Rrustem Tetaj, disa herë e theksoi se nuk mund të ofrojë përgjigje konkrete.
Megjithatë, kjo nuk e zmbrapsi gjyqtarin Barthe. I njëjti, insistoi deri në 5 herë për të marrë një përgjigje për këtë temë.
“Këtu ke folur për një takim në Jabllanicë me përfaqësuesit e tri fshatrave, Faton Mehmetaj, Lahi Brahimaj dhe Pjetër Shala. Kishit dëgjuar fjalë se ishin rrëmbyer persona e dërguar në Jabllanicë. Madje, se ka pasur një shtab aty”, pyeti gjyqtari Barthe.
“Më kujtohet, sepse secili fshat e ka pasur shtabin e vet lokal. Të gjitha këto që ndaloheshin, kam dëgjuar vetëm dëgjuar, e jo pa me sy”, u përgjigj Rrustem Tetaj.
Gjyqtari vazhdoi me pyetje për të njëjtën temë, pavarësisht se dëshmitari tha se nuk kishte informacione.
“Ku dhe kur ka ndodhur kjo?”, pyeti gjyqtari.
“Në takimin me këta persona, në fshatin Pozhar prej atij momentit. Ishte prezent Lahi Brahimaj aty”, ia ktheu dëshmitari Tetaj.
Gjyqtari insistoi në përgjigje.
“A kam të drejtë të them se ajo që ke dëgjuar para takimit, që persona rrëmbeheshin e çohheshin në Jabllanicë, rrëmbeheshin prej UÇK-së apo grupe të tjera?”, pyeti gjyqtari.
“Për këtë nuk e di, sepse UÇK-ja ishte akoma në zhvillim e sipër”, u përgjigj dëshmitari.
“Këta persona i rrëmbente UÇK-ja, grup tjetër, policia serbe?”, pyeti gjqytari sërish.
“Janë dëgjuar thashetheme, një sen që nuk e kam parë me sy nuk mundem me vërtetu”, u përgjigj dëshmitari.
Pyetje e radhës e gjyqtarit ishte se cilat ishin thashethemet në kohën e luftës.
“Çfarë ishin thashethemet, sipas këtyre thashethemeve, këta persona po i rrëmbente UÇK-ja, forcat serbe, kush?”, pyeti gjyqtari gjerman sërish!
“Më shumë kemi menduar në atë kohë që rrëmbimet i bëjshin forcat edhe serbe, policore në terren. Lidhje me këtë, kanë thane çka thashetheme. Nuk e di këta të sqaroj pasi nuk e kam parë me sy”, u përgjigj sërish Rrustem Tetaj./Nacionale