Gjyqtari Istref Elezaj shkëlqeu në CEV Challenge Cup
Gjyqtari kosovar me thirrje të FIVB-së, Istref Elezaj, ka marrë vlerësim maksimal gjatë ndarjes së drejtësisë në ndeshjen e raundit të dytë të 1/32 finales CEV Challenge Cup, mes VBC Casalmaggiore dhe IGOR Novara.
Elezaj ishte gjyqtar i parë, në paraqitjen e tij të pestë në Kupat Evropiane, kur të enjten në Viadana të Italisë, ka qenë gjyqtar në duelin e dy ekipeve italiane. Ai mori vlerësim maksimal edhe nga delegati i ndeshjes Filipoo Niedu. Partner në ndarjen e drejtësisë në këtë ndeshje, Elezaj e pati gjyqtarin polak Wojciech Glod.
Kjo ishte ndeshja e kthimit mes këtyre skuadrave, me IGOR Novara që e fitoi edhe ndeshjen e dytë 3:0 (25:13; 25:18; 25:23), për ta siguruar kualifikimin në 1/16 e CEV Challenge Cup. Këto dy ekipe njihen për rivalitetin edhe në Serie A, në kuadër të së cilës garë do të ndeshen edhe të dielën.
Federata e Volejbollit të Kosovës e ka përgëzuar gjyqtarin kosovar Istref Elezaj, për paraqitjen briliante në këtë garë, duke përfaqësuar suksesshëm vlerat e volejbollit tonë në Evropë.