Gjyqtari që e konfirmoi aktakuzën ndaj krerëve të UÇK-së, do të vendosë për urdhër-arrestin ndaj kryeministrit të Izraelit
Gjyqtari francez, Nicollas Guillou, është një prej figurave më të njohura në Kosovë nga Gjykata Speciale në Kosovë. Kjo pasi për gati 3 vjet, secila seancë e mbajtur në rastin e krerëve të UÇK-së u drejtua nga francezi Guillou.
Madje, ishte pikërisht ky gjyqtar i cili konfirmoi aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. I njëjti, dha urdhër edhe për arrestimin e katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjyqtari francez është në panelin gjyqësor që pritet të vendosë lidhur me urdhër-arrestin ndaj kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe liderëve të Hamasit.
Por, si erdhi puna deri këtu?
Gjyqtari francez që nga themelimi i Dhomave të Specializuara, është aktiv në të gjitha proceset e hapura si gjyqtar i procedurës paraprake. Në muajin dhjetor të vitit 2023, Gjykata Speciale njoftoi se Guillou është përzgjedhur si gjyqtar edhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Që nga atëherë, Guillou, vazhdoi duke mbajtur të dy pozitat. Edhe në Gjykatën Speciale edhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Pavarësisht kërkesës nga mbrojtja e Hashim Thaçit për përjashtimin e tij, gjyqtari francez vazhdon punën në të dyja institucionet.
Por, një kërkesë e re për përjashtimin e tij erdhi pak ditë më parë. Mbrojtja e Thaçit insistoi se Guillou duhet të largohet, duke njoftuar se ai është caktuar në mesin e gjyqtarëve që do të vendosë lidhur me urdhër-arrestin ndaj kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ministrit të Mbrojtjes në Izrael, dhe liderëve të Hamasit.
Kjo konfirmohet edhe nga publikimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare ku francezi është pjesë e panelit. Përveç tij, në panel janë edhe Iulia Motoc dhe Reine Alapini-Gansou.
Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan ka kërkuar urdhër arrest për liderin e Hamasit dhe për kryeministrin izraelit Benjanim Netanjahu.
Siç raporton The Guardian, Gjykata kërkon urdhrin e arrestit ndaj Netanjahut dhe liderit të Hamasit Jahja Sinvar, nën akuzat për ‘krime lufte dhe krime kundër njerëzimit’.
Sipas Khan, Gjykata kërkon urdhër arrest edhe për ministrin izraelit të mbrojtjes, Yoav Gallant dhe për dy ish zyrtarë të tjerë të lartë të Hamasit.
Për këtë, pritet të marrë vendim gjyqtari i Speciales.
E për ironi të zhvillimeve, gjyqtari që konfirmoi aktakuzën për krerët e UÇK-së, tash pritet të vendosë edhe për një urdhër-arrest që ka ardhur pas dyshimeve serioze për krime të rënda të luftës në Palestinë nga kryeministri i Izraelit. Se a do ta konfirmojë arrestimin apo jo, mbetet të shihet.
Kërkesa për përjashtim
Kërkesa e mbrojtjes së Thaçit për ta përjashtuar fillimisht gjyqtarin, ishte rrëzuar.
Megjithatë, përzgjedhja e Guillous në mesin e gjyqtarëve që do të vendosin për kryeministrin dhe ministrin e mbrojtjes së Izraelit, bashkë me udhëheqësit e Hamasit, ka bërë që mbrojtja e Thaçit të dërgojë ankesë sërish.
Avokatët e Thaçit kanë insistuar në përjashtimin e gjyqtarit francez.
“Më 20 maj 2024, prokurori i ICC-së paraqiti kërkesa për urdhër arresti para PTCI në Situata në Shtetin e Palestinës, kundër pesë individëve: Benjamin Netanyahu, Kryeministri i Izraelit, Yoav Gallant, Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yahya Sinwar. , Shefi i “Hamasit” në Rripin e Gazës, Mohammed Diab Ibrahim Al-Masri, Komandanti i Përgjithshëm i krahut ushtarak të Hamasit dhe Ismail Haniyeh, Shefi i Byrosë Politike të Hamasit”, thuhet në nisje të kërkesës së mbrojtjes së Thaçit.
Mbrojtja ka theksuar se gjyqtari francez vazhdon të jetë në listën e gjyqtarëve të punësuar në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Sipas tyre, pas kërkesës së parë të refuzuar, përfshirja e gjyqtarit Guillou në këtë rast të madh si rasti i Izraelit dhe Palestinës, ka ndryshuar komplet situatën.
“Gjykatësi Guillou u bë i paaftë për të kryer detyrat e tij para Specialepas caktimit të tij në PTCI në rastin: Situata e Palestinës më 22 prill 2024 dhe aplikimet e Prokurorit të ICC për pesë urdhër-arreste para PTCI më 20 maj 2024”, thuhet në kërkesë.
“Ndërsa vendimi i 8 prillit 2024 konsideronte se kërkesa e mbrojtjes e 14 marsit 2024 ishte spekulative dhe e parakohshme, ky arsyetim bazohej në supozimin se gjyqtari Guillou pritej të punonte me kohë të plotë në GJNP vetëm nga 19 gusht 2024. Caktimi i gjyqtarit Guillou në PTCI dhe aplikimi për pesë urdhër-arreste tani në pritje përpara kësaj Dhome, janë rrethana të reja, të cilat rrjedhimisht nuk janë parashikuar nga Presidenti i GJNP-së në vendimin e tij të 12 marsit 2024, ose deri më Kryetarja e KSK-së në vendimin e saj të 8 prillit 2024. Këto rrethana të reja tani kërkojnë zëvendësimin e gjyqtarit Guillou”, thuhet më tutje.
Mbrojtja e Thaçit muaj më parë kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Guillou, por kërkesa ishte refuzuar nga kryetarja e Gjykatës Speciale.
Njëra prej arsyeve pse nuk u përjashtua ky gjyqtar, është sepse ai nuk do të angazhohet me shërbim të plotë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare deri më 19 gusht 2024.
“Siç u përmend më lart, gjyqtari Guillou është emëruar si gjyqtar i GJNP-së dhe do të thirret në selinë e gjykatës vetëm me shërbim me kohë të plotë që nga data 19 gusht 2024. Me fjalë të tjera, çdo argument i z. Thaçi në lidhje me gjyqtarin Guillou dhe ndikimi i mundshëm që ka emërimi i tij si gjyqtar i GJNP-së në efikasitetin e procedurave përpara KSC-së janë të parakohshme”, thuhet në vendim.
“Kështu, sugjerimet e z. Thaçi në lidhje me aktivitetet profesionale që gjyqtari Guillou mund ose nuk mund t’i duhet të ndërmarrë si gjyqtar i GJNP-së para marrjes së detyrës në gusht 2024 dhe aftësisë së tij për të ushtruar funksionet e tij si gjyqtar i vetëm para KSK-së janë spekulative në natyrës. Z. Thaçi nuk ka paraqitur asnjë argument se puna e gjyqtarit Guillou si gjyqtar i vetëm është ndikuar ose se procedurat në të cilat ai është caktuar në këtë cilësi janë ngadalësuar si rezultat i emërimit të tij si gjyqtar i GJNP-së në mars 2024”, thuhet më tutje.