![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/07/C7F8207D-0343-467D-AB78-903467C5E47B.jpeg)
Gjyqtarja Florentina Kallaba ndan drejtësinë në fazën finale të Euro 2022 në futsall, presidenti Ademi e përgëzon
Gjyqtarët (femra dhe meshkuj) nga Kosova po vazhdojnë të tregohen të suksesshëm në ndarjen e drejtësisë në arenën ndërkombëtare.
Gjyqtarja Florentina Kallaba e ka ndarë drejtësinë në ndeshjen gjysmëfinale ndërmjet Portugalisë dhe Hungarisë në fazën finale të Euro 2022 në futsall.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi e ka përgëzuar atë për performancën në ndeshjen Portugalia – Hungaria, duke thënë se prezantimi i FFK-së në këso evenimente po e bën krenar.
Këto komente Ademi i ka bërë në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Agim Ademit:
Krenar që Federata e Futbollit e Kosovës po përfaqësohet nga gjyqtarja Florentina Kallaba në fazën finale të UEFA Euro 2022 në futsall.
E përgëzoj për ndarjen e drejtësisë në ndeshjen gjysmëfinale ndërmjet Portugalisë dhe Hungarisë.
Uroj që sa më shumë gjyqtare e gjyqtarë të kemi në nivele të tilla.
Futbolli i Kosovës ka ecur para në çdo segment, falë përkushtimit dhe punës profesionale të të gjithëve.
Në këtë drejtim jemi duke krijuar edhe ekipin e gjyqtareve për futboll me stema të FIFA-s, teksa jemi në pritje të pajisjes me stemë të FIFA-s edhe të një ekipi tjetër të gjyqtarëve pas propozimit të bërë nga Komisioni i Gjyqtarëve në FFK.
#BashkëPërFutbollin