Gjysma e ekipeve të Superligës ndërrojnë trajnerët
Gjashtë klube elitare kanë bërë ndryshime trajnerësh deri tash, kurse nuk përjashtohen edhe lëvizje të tjera në xhirot e mbetura të sezonit vjeshtor. I fundit që ka dhënë dorëheqje është trajneri nga Shqipëria, Gugash Magani. “Nuk jam më trajner i Trepçës ’89, kam dhënë dorëheqje, sepse jemi larg objektivave që kemi pasur në fillim të kampionatit. Nuk dua të bëj analizë, por t’i falënderoj të gjithë futbollistët, stafin tim, presidentin në veçanti, tifozët e Mitrovicës që më kanë respektuar shumë”, ka thënë Magani
Veton ZYMBERI
Kanë kaluar 13 xhiro në IPKO Superligën e Kosovës në futboll dhe deri tash gjysma e skuadrave të elitës kanë bërë ndryshime në krye të shtabeve teknike. Këtu bëjnë pjesë kryesisht skuadrat që kanë synim titullin e kampiones, por nuk mungon as KEK-u që ka fituar vetëm një pikë nga trembëdhjetë ndeshjet e luajtura. Skuadra nga Obiliqi ishte e para që filloi “lojën” me emërime dhe largime të trajnerëve, pasi gjatë verës e zyrtarizoi Musa Selimin shef të shtabit teknik, por “Profa” nuk e udhëhoqi fare në Superligë. Enis Nasufi e drejtoi këtë klub për disa xhiro e më pas vendin e tij e zuri Mensur Siminica, i cili ishte ndihmëstrajner.
E dyta që bëri ndryshime në shtabin teknik ishte skuadra e Feronikelit. Kryesuesit e tanishëm të Superligës, pas disa barazimeve radhazi, në vend të Sulejman Starovës, e rikthyen Zekirija Ramadanin. Ndryshime bëri edhe kampionia e Kosovës, Drita e Gjilanit, e cila trajnerin që e udhëhoqi drejt titullit kampion dhe prezantimit që i bëri në arenën ndërkombëtare, Bekim Isufin, e zëvendësoi me trajnerin nga Shqipëria, Shpëtim Duron. Ky i fundit doli të jetë shpëtimtar i madh i gjilanasve, pasi i ka ngritur në pozitën e tretë në tabelë.
Shkarkimi më i madh ishte ai i Bylbyl Sokolit nga Llapi. “Profa” pak kohë punoi i qetë si trajner i Llapit, pasi disa herë u fol për largimin e tij, por edhe raportet e tij me drejtorin sportiv, Tahir Batatina, asnjëherë nuk ishin të mira. Ende vazhdojnë përplasjet nëpërmjet deklaratave në mes të Sokolit dhe Batatinës. Vendin e “Profës” e zuri Bekim Shotani që nuk pati paraqitje të mira me skuadrën e Ballkanit në Superligë. Shotani fillimisht u nda me skuadrën nga Suhareka dhe më pas mori drejtimin e Llapit. Dorëheqja e fundit ka ardhur nga trajneri Gugash Magani, i cili, pas humbjes nga Prishtina të mërkurën (2-0), e zyrtarizoi ndarjen me Trepçën ’89. Trajneri shqiptar ka thënë se po largohet nga ’89-shi për shkak se skuadra nga Mitrovica është larg objektivit që kishte në fillim të kampionatit. “Nuk jam më trajner i Trepçës ’89, kam dhënë dorëheqje, sepse jemi larg objektivave që kemi pasur në fillim të kampionatit. Nuk dua të bëj analizë, por t’i falënderoj të gjithë futbollistët, stafin tim, presidentin në veçanti, tifozët e Mitrovicës që më kanë respektuar shumë”, ka thënë Magani.
Këtë të fundit deri në fund të sezonit vjeshtor do ta zëvendësojë ndihmëstrajneri Sabit Osmani, i cili edhe në të kaluarën ka zëvendësuar trajnerët e larguar nga “Riza Lushta”. Largimin e Maganit e ka bërë publik edhe skuadra e Trepçës ’89 nëpërmjet një njoftimi për medie. “Shkaku dhe arsyeja e largimit të profesorit Magani është mospërfillja dhe moszbatimi i detyrave nga vetë lojtarët për të cilat kanë pasur obligim t’i zbatojnë”, thuhet në njoftimin e 89-shit. Deri në përfundim të sezonit vjeshtor numri i trajnerëve të dorëhequr apo të shkarkuar pritet të rritet, pasi kjo është një dukuri e njohur në futbollin e Kosovës.