Gjysmë shekulli veprimtari, gjysmë shekulli kujtime

08 korrik 2019 | 20:40

(Gani Sylaj: “Ilegali i të shtatëdhjetave”)

Shkruan: Adem Gashi

Bota shkrimore e Ganiut as nis dhe as përfundon me këtë libër, po mua më hap telashe në kuptim të përcaktimit teorik të llojit, tipit a zhanrit letrar.

Shenjat e para dalluese flasin për rrëfime të tipit të memoareve, por shtrirja kohore, shtigjet ndërtekstore, personazhet që rrojnë dhe të tjerë që nuk janë, bota e tyre komplekse psikologjike e të tjera më flasin për një realitet dramatik skajeve të të cilit gëlojnë tragjedi tronditëse. Duke e parë në këtë kontekst materien rrëfimore duket sikur në të përvijohet drama e madhe e një populli nga këndvështrimi autorial.

Ganiu pothuajse përherë e jep kategorinë e kohës referenciale (vitet e 70-ta), po në fakt këtu përfshihen fillet e fëmijërisë së të tij, që i bie të jetë 1960 e këtej (dekada e shtatë e shekullit të kaluar).

Fakti i dytë që ma vështirëson gjykimin për këtë libër është i natyrës subjektive, njohja ime e hershme me autorin dhe të qenit personazh në nyjëtime të veçanta të rrëfimit e veprimit të tij.

Mënjanë të tëra, cila është substanca e librit? Ndoshta, në vijat më të trasha, mund të thosha: Gjysmë shekulli veprimtari shtrirë në gjysmë shekulli kujtime. E kujtimet? Paj, s’kam si e kundërshtoj Gabriel Garsia Markesin, kur thoshte se “të jetuarit, jeta, s’është tjetër veçse ajo që e kujtojmë”!
Autori që i rrëfen kujtimet tashti është një bir fshatari dhe ai, njëkohësisht, rrëfen a vetërrëfen bëmat, të tij e të shokëve të tij, të brezit të tij e të brezave paravajtës; rrëfen atmosferën dhe tensionet e kohës e të vendit ku formohet e kalitet deri në shkallën e veprimit të ndërgjegjshëm, deri në shkallën më sipërore të gatishmërisë për sakrificë.

Vetëmohimi i këtillë, këmbëngulës deri në kokëfortësi, nuk i le fushë pushimi oportunitetit. Këtu s’dua ta shfaq biografinë e tij. Le ta bëjnë të tjerët ose edhe botuesi.
Veprimtari atdhetar e politik shumëvjeçar, Gani Sylaj, nuk ka sesi të mos e nisë rrëfimin pikërisht nga familja, nga ajo farka e lashtë ataviste, ku foshnja, bashkë me qumështin jetëdhënës të nënës, thëthin edhe erërat e trazuara të realitetit jetësor (atëherë erëra shtypjeje e robërie).

Ndoshta tok me tingujt e parë të gjuhës ai do të ketë dëgjuar edhe klithmat e plagëve të dhimbjes së burrave nën torturë (kujto Aksionin namkeq të UDB-së për gjoja grumbullimin e armëve, aksionin e dimrit të 1956-ës).

Pak vite më vonë shkolla dhe mësuesi janë përmasat ku ftillëzohet fëmija drejt horizonteve të reja. Po ç’ne? Lajmi i kobshëm, vrasja e mësuesit me torturë. Këtu ndalëm. S’është punë për mua po për psikanalistët. Në kujtimet e Ganiut tashti ndërfutet vdekja a, më saktë, vrasja (kujto vrasjen e njërit nga dajot e tij dhe vrasjen me torturë të mësuesit Fazli Graiçevci). Vrasjet e regjimit përherë shoqëroheshin me terr e mister si në netët makbethiane.

Tashti midis moshës së hareshme të adoleshencës, në vend të dalldive dashurore të Ganiut ndërhyn bota e librit, e leximit. Si normalist i Prishtinës (Shkolla Normale vinte në vijë gjenetike si e bija e Normales së Elbasanit), i jep shansin e përballjes së parë të madhe me robërinë. Është shpërthimi i Demonstratës së Gjashtëdhjetetetës që përfundimit ngulit bindjen tek i riu, Gani Sylaj, se nuk ka rrugë të mesme: o nënshtrim, o luftë për çlirim! Pa u dymendur zgjodhi të dytën në të gjitha përmasat e saj.

Ganiu edhe mund të mos e dinte mendimin e Gëtes se “përfundimisht i robëruar është vetëm ai që në robëri mendon se është i lirë”, por e ndiente një gjë të tillë dhe, detyra e parë që i vuri vetes, ishte pikërisht puna e ndërgjegjësimit të të tjerëve. Punë që u mbyll me aktin e parë, me arrestimin e tij në vitin 1979.

Këtu tashti përdegëzohet veprimtaria e tij e shumanshme, zgjerimi i njohjeve, bashkërendimi i veprimeve, programimi i tyre dhe përgjegjësia.
Së këndejmi rezulton fakti se veprimtaria e tij, nga farka e familjes me mësime atdhetarie, nëpër realitetin e zymtë të robërisë e deri te shkolla revolucionare e doktrinës së lirisë profilizon atdhetarin e devotshëm.
Gjysmë shekulli tallaze dallgësh jetësore vijnë e kondensohen në ndërgjegjen e tij si një përvojë që detyrimisht duhet rrëfyer.

Me kulturën dhe disiplinën e rreptë të leximit, me dashurinë për gjuhën dhe artin, me pasionin dashuror për njerëzit Ganiu ia doli ta shndërrojë në tekst një botë të tërë përvojash, përjetimesh e kujtimesh. Nuk them gjë të re nëse jua kujtoj se ai, sado që nuk e thotë, është ndier me borxh për këtë libër ndaj të gjithë atyre bashkëveprimtarëve të gjallë, të vdekur a të rënë në fushën e nderit për lirinë e Kosovës. Fati e deshi që Ganiu të jetë zëdhënësi i këtyre dy kategorive të fundit.

Po të provoja të shqiptoja a formuloja një përfundim për këtë libër, pa diskutim që do të zgjidhja një distik poetik të Din Mehmetit, shkruar në trajtë epitafi, në veten e parë të një dëshmori: “Nuk kam dashur të jetoj pa vdekur për këtë tokë”! Ganiu nuk ka dashur të jetojë pa e shkruar këtë libër.

“Ilegali i të shtatëdhjetave”, një libër që qartëson dritëhijet e zhvillimeve politike e atdhetare të rreth gjysmë shekulli, një manuskript që begaton literaturën e veprimtarisë së atdhetarëve ilegalë e gjysmilegalë me të dhëna të dorës së parë, kur e kur edhe me faksimile, fotografi e dokumente. Dhe ana e vrazhdë, por e domosdoshme, e këtij libri: zhveshja e mistifikimeve, trilleve e glorifikimeve të stisura të “supermenëve të shpifur”.

Prishtinë, gusht 2017
___________________
*Nuk hodha asnjë fjalë në letër për shuarjen e Gani Sylajt, mikut tim të shtrenjtë, por shkrova (tash e dy vjet më parë) kur ai akoma ishte pishtarë që ndizej flakë. Në vend të ngushëllimit për familjarët e tij: Ismailin, Fadilin, Izetin…

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se…