Glasgow Rangers synon transferimin e Rrahmanit
Albion Rrahmani është bërë objektiv i klubeve të njohura evropiane falë paraqitjeve fantastike që i shfaqi në këtë edicion në Rumani. Interesim për futbollistin kosovar ka edhe nga Britania e Madhe, respektivisht nga Skocia. Gjiganti i këtij vendi, Glasgow Rangers thuhet se është duke e përgatitur terrenin në tentim për ta transferuar përfaqësuesin kosovar, shkruan “onefootball”.
Drejtori i futbollit i Rangers, Nils Koppen e ka ndërmend të takohet me KT Management, të cilët e përfaqësojnë futbollistin e Rapid Bukureshtit. Sipas të gjitha gjasave, 23-vjeçari do të shitet nga klubi rumun gjatë verës që vjen dhe e ardhmja e tij mund të jetë në Skoci. Natyrisht, Glasgow Rangers nuk është ekipi i vetëm që ka shfaqur interesim për ish-sulmuesin e Malishevës dhe të Ballkanit.
Atë e duan disa klube të njohura evropiane përfshirë këtu Aston Villën, Napolin, Benficën, Dinamo Zagrebin, Ludogoretsin e Ferencvarosin. Rrahmani i ka realizuar 19 gola në sezonin 2023/24, përfshirë këtu 13 në Superligë rumune, katër në fazën e Play-offit të kësaj lige dhe dy në fazën eliminatore të Ligës së Konferencës, ndërsa i kishte edhe pesë asistime në total.