Gliha e Aliti: Jemi të përqendruar për të vazhduar serinë pozitive

20 nëntor 2023 | 21:50

Përzgjedhësi Primozh Gliha dhe kapiteni Fidan Aliti janë paraqitur në konferencën për media në prag të ndeshjes kundër Bjellorusisë, teksa kanë theksuar se ekipi është i përqendruar dhe i motivuar maksimalisht për të vazhduar serinë pozitive dhe për ta përmbyllur këtë cikël kualifikues për “Euro 2024” me fitore.

“Koncentrimi im është tek Bjellorusia, por nëse duhet të flasim për ndryshime atëherë absolutisht nuk ka asgjë që do të ndryshoja. Për mua gjërat janë të qarta, duhet t’i zbatojmë rregullat që janë. Për mua është e rëndësishme të luajë gjithmonë ai që është më i miri. Nuk kanë rëndësi emrat, por cilësitë e futbollistëve. Këtë e kemi dëshmuar edhe në ndeshjet që i kemi luajtur dhe kështu do të duhej të vazhdonim. Secila ndeshje e ekipit kombëtar është e rëndësishme, sepse ekipi kombëtar është ekip kombëtar, nuk është klub. Këtu nuk ka kalkulime. Askush nuk mund të kalkulojë me ekipin kombëtar”, u shpreh Gliha.

Ai e ka vlerësuar Bjellorusinë si kundërshtare shumë të fortë, por po ashtu ka thënë se beson tek ekipi i tij dhe do të japin më të mirën për të arritur një tjetër rezultat të mirë.

Ndërkaq, kapiteni Fidan Aliti ka thënë se tani nuk është koha për analiza se çfarë ka shkuar mirë e çfarë keq, porse janë të përqendruar për të bërë një tjetër paraqitje të mirë para tifozëve dardanë.

“Edhe pse nuk kemi gjasa për kualifikim, për neve kjo është një ndeshje e rëndësishme. Secili prej nesh duhet të fokusohet në këtë ndeshje dhe ta mbajmë pozitën aktuale në tabelë dhe të mos lejojmë Bjellorusinë të na kalojë”, ka thënë Aliti.

Ai ka vlerësuar edhe futbollistët e rinj, të cilët janë paraqitur në ndeshjet e fundit dhe ka shprehur shpresën për lojë të mirë edhe kundër Bjellorusisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes mes Shqipërisë dhe…