GLPS-ja: Kabineti i Qeverisë Hoti karakterizohet me pabarazi të lartë gjinore

16 shtator 2020 | 11:54

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka organizuar sot konferencë për media me temën: “Vlerësimi i 100 ditëve të para të Qeverisë Hoti”.

Duke marrë parasysh se Qeveria Hoti sapo ka kaluar 100 ditëshin e parë të qeverisjes, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, përmes një analize politikash ka vlerësuar përformancën e kësaj qeverie.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka vlerësuar madhësinë dhe funksionimin e Qeverisë Hoti.

Sipas GLPS-së, përkundër faktit që në planin e saj elektoral LDK-ja ka premtuar qeveri të vogël me 12 ministri dhe 24 zëvendësministra, e njëjta ka përfunduar duke dyfishuar numrin e zëvendësministrave (përkatësisht nga 24 në 46), si dhe ka shtuar dy ministri në krahasim me qeverinë e kaluar.

“Me emërimin e 46 zëvendësministrave, Qeveria Hoti u bë kabineti me numrin e dytë më të lartë të zëvendësministrave në Kosovë në 13 vitet e fundit. Rritja e numrit të zëvendësministrave nuk ndoqi ndonjë logjikë qeverisjeje, por ajo u përdor më së shumti për të kënaqur apetitet e partnerëve të koalicionit. Kështu, ka ministri, si Ministria e Kulturës dhe Ministria e Ekonomisë, që kanë nga pesë zëvendësministra, arsyeshmëria e ekzistencës së të cilëve asnjëherë nuk është arsyetuar siç duhet”, theksohet në vlerësimin e GLPS-së.

GLPS-ja ka theksuar se, kabineti i Qeverisë Hoti karakterizohet me pabarazi të lartë gjinore si në pozitat ministrore ashtu edhe në pozitën e zëvendësministrit.

“Nga gjithsej 16 ministra, ka vetëm tri gra në këtë pozitë, kurse nga 46 zëvendësministra, vetëm tetë janë gra”, thuhet në komunikatën e GLPS-së.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka theksuar se koalicioni qeverisës ka shpërfaqur një dobësi serioze të funksionimit të brendshëm, me mungesë të konsensusit për çështje bazike siç janë politika e jashtme, dialogu, apo edhe mënyra e shpenzimit të buxhetit sikur që është rasti i financimit të ndihmës juridike për të akuzuarit e Gjykatës Speciale. “Mungesa e konsensusit të brendshëm është gjithashtu e vërejtshme sa i përket rolit të kryeministrit në procesin e dialogut, meqenëse së paku njeri nga partneret e koalicionit ka kundërshti mbi diskrecionin e tij për të ushtruar funksionin epror sipas kompetencave kushtetuese. Koalicioni gjithashtu po dëshmon një shpërqendrim të theksuar sa i përket agjendës qeveritare në shume fusha, siç janë arsimi, shëndetësia, investimet publike, etj. Ka një tendencë të vazhdueshme të partnerëve më të vegjël të koalicionit për të shtyrë vendime të anshme politikisht, dhe qe eventualisht përbejnë tendenca klienteleske ndaj elektorateve të tyre”, theksohet në komunikatën e GLPS-së.

Tutje në këtë komunikatë të vlerësimit të 100 ditëshit të Qeverisë Hoti, thuhet se për shkak të mungesës së një shumice parlamentare, qeverisë iu deshën dy muaj për të miratuar rishikimin e buxhetit, për të ekzekutuar pagesa nga pakoja e emergjencës, për të ratifikuar kreditë ndërkombëtare dhe për të elaboruar politikat e paketës së rimëkëmbjes.

“Qeveria nuk ka ofruar ende një perspektivë të qartë qeverisëse ndaj disa sferave te sektorit publik, si: çfarë do të ndodh me ligjin e ri të pagave? Si do të financohen projektet e infrastrukturës publike dhe mbi çfarë kriteresh do të zbatohen ato? A do të ketë një sistem merite për emërime në pozita të larta, sidomos në fushat siç janë ndërmarrjet publike apo agjencitë ekzekutive”, thuhet në këtë komunikatë.

Qeveria Hoti dhe sundimi i ligjit

“Qeveria ka dëshmuar një mungesë serioze të agjendës në fushën e sundimit të ligjit; nuk është ndërmarrë asnjë iniciative që realisht ka kontribuar në çkapjen e institucioneve nga politika. Për më tepër, kthimi në detyrë i disa sekretarëve të përgjithshëm që kanë pasur probleme me kredibilitetin e tyre ligjor është gjithashtu problematik. Iniciativa e zhvendosjes së vetingut nga prioriteti në një aktivitet anësor është tejet shqetësuese. Për me tepër, plani i Ministrisë së Drejtësisë për të hartuar pa ndonjë nevojë një reformë në sistemin e drejtësisë duke involvuar vet krerët e këtij sistemi është një paradoks”, thuhet në vlerësimin e GLPS-së.

Më tej thuhet se emërimi i figurave të larta të sistemit të drejtësisë në Komisionin e Jurisprudencës është qartazi tendencë klienteliste, dhe dëshmon qartazi konceptin kapës ndaj sistemit të drejtësisë; Nuk ka një plan të qartë antikorrupsioni, dhe një gjë e tillë nuk përben aspak prioritet qeveritar. Gjithashtu, GLPS-ja thekson se qeveria nuk ka dëshmuar ndonjë masë për të zvogëluar shpenzimet, për të sanksionuar të korruptuarit, për të reformuar administratën publike, etj.

Menaxhimi me pandeminë Covid-19

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka theksuar se gjatë njëqind ditëve të para të Qeverisë Hoti, Kosova ka qenë një nga vendet më vdekjeprurëse në botë për koronavirusin. “Numri i pamjaftueshëm i testimeve, mungesa e gjurmimit të kontakteve, strategjia e mangët e komunikimit, mungesa e kontrolleve të çmimeve për ilaçet janë disa nga vendimet që çuan në numrin e lartë të infeksioneve dhe vdekjeve gjatë 100 ditëve të para. Qeveria dështoi të sigurojë dhe subvencionojë testimin për popullatën e përgjithshme duke kufizuar testimin vetëm për njerëzit me simptoma të forta dhe testime selektive të figurave publike. Shumë të tjerë me simptoma më të lehta nuk mund të testohen fare. Për shkak të numrit të lartë të rasteve, gjurmimi i kontaktit ra plotësisht, duke e bërë të vështirë gjurmimin e vatrave te reja të infektimit”, thuhet në këtë vlerësim të GLPS-së.

Qeveria Hoti, dialogu me Serbinë dhe politika e jashtme

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka dhënë një vlerësim edhe sa i përket dialogut me Serbinë dhe politikën e jashtme. GLPS-ja mendon se Qeverisë Hoti i mungon një platformë për dialogun me objektiva dhe qëllimet konkrete rreth konkludimit të procesit.

Thuhet e rifillimi i dialogut është shoqëruar me mungesë transparence nga ekipi i Kosovës. Rezultatet nga takimet e para janë të paqarta, nuk ka transparencë nga takimet në Bruksel dhe ato në Uashington.

“Shpesh ka pasur një ndarje brenda koalicionit qeverisës për dialogun në përgjithësi. Qeveria Hoti ka dështuar të krijoj unitet, koordinim të partive politike për çështjen e dialogut me Serbinë dhe konsensus të përgjithshëm të spektrit politik. Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme ka kthyer praktikat e dëmshme diplomatike të cilat vazhdojnë të jenë rezultat i politizimit, nepotizmit, në shërbim të interesave të ngushta dhe në dëm të efikasitetit dhe kontributit të përfaqësuesve diplomatikë të Kosovës”, bëhet me dije në këtë vlerësim të GLPS-së.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministrit Avdullah Hoti i është ndërprerë fjala derisa po fliste…