GLPS-ja: Projektligji për zyrtarët publikë, në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese
Grupi për Studime Juridike e Politike ka reaguar pas miratimit të Projektligjit për zyrtarët publikë.
Nga kjo organizatë kanë vlerësuar se ky projektligj është në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Sa i përket përmbajtjes, projektligji përveç që nuk ndjek urdhrin e përcaktuar në pikën 12 të aktgjykimit nr. ref.: AGJ 2262/23 të Gjykatës Kushtetuese të lëshuar me datë 12 shtator 2023, i njëjti zgjeron objektin e ndryshimit si dhe devijon këtë urdhër duke keqinterpretuar vet frymën e këtij aktgjykimi”, është thënë në reagimin e GLPS-së.
Reagimi i plotë i GLPS-së:
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-197 për zyrtarët publik është në kundërshtim me parimet moderne të administratës publike dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka analizuar me kujdes këtë proces dhe shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me procedurën dhe përmbajtjen e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik. Sipas programit legjislativ të këtij viti, përgjegjësia për këtë iniciativë ligjore bie mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), e cila njëkohësisht është përgjegjëse edhe për administratë publike.
Fillimisht, GLPS-ja konsideron se i gjithë angazhimi dhe procedura e miratimit të këtij projektligji ka qenë totalisht jo transparente. Ne mbesim të shqetësuar se si një proces i tillë është realizuar në heshtje të plotë, pa përfshirjen e palëve të treta dhe absolutisht në kundërshtim me rregullat dhe parimet për konsultime publike. Theksojmë se i njëjti projektligj nuk është publikuar fare në platformën për konsultime publike, dhe rrjedhimisht, palët e treta nuk kanë pasur fare informacion mbi ndryshimet dhe plotësimet e propozuara nga ana e qeverisë, apo MPB-së në këtë rast.
Sa i përket përmbajtjes, projektligji përveç që nuk ndjek urdhrin e përcaktuar në pikën 12 të aktgjykimit nr. ref.: AGJ 2262/23 të Gjykatës Kushtetuese të lëshuar me datë 12 shtator 2023, i njëjti zgjeron objektin e ndryshimit si dhe devijon këtë urdhër duke keqinterpretuar vet frymën e këtij aktgjykimi.
Tutje, GLPS-ja në përmbajtjen e këtij projektligji vë theksin si dhe ndan shqetësimin sidomos në këto çështje:
Ky projektligj i propozuar së fundmi përjashton nga fusha e veprimit disa institucione tipike të cilat duhet të jenë pjesë e fushëveprimit të LZP-së. GLPS konsideron se ky përjashtim është bërë në mënyrë të qëllimshme dhe në kundërshtim me parimet e SIGMA/OECD. E njëjta vlen edhe me dhënien e statusit të veçantë të disa kategorive në mënyrë të gabuar.
Zgjatja e afatit deri në 2 vjet për ushtruesit e detyrës është tendencë e qartë për ligjësimin e këtij fenomeni të rrezikshëm. Madje i njejti ka parashikuar mekanizmin që brenda vetëm një muaji të përshtaten vendimet për UD-të aktual në mënyrë që vazhdohet kjo praktikë.
Shqetësuese mbetet edhe heqja e pragut minimal që së paku 2 kandidat duhet t`i plotësojnë kushtet për nivelin e lartë drejtues, gjë që rezulton me cenim të konkurrencës, si shtylla kryesore e meritokracisë.
Tek lista pritëse, vendosja e marrëveshjes për pranim të nëpunësve civilë (sipas paragrafit 3 te nenit 67) nga institucioni që supozohet t`i pranoj nëpunësit civilë tepricë në mënyrë diskrecionale, pa ndonjë detyrim ligjor, është shumë e rrezikshme dhe me qëllim mund të shpie në situata që institucionet mos t`i pranojnë nëpunësit tepricë dhe të njëjtit në mënyrë masive të largohen nga shërbimi civil për shkak të kalimit të afatit 9 mujor të përcaktuar në paragrafin 5 të nenit 67 të po këtij projektligji.
Kthimi i mandateve për nëpunësit civil aktual sipas paragrafit 3 të nenit 17 të projektligjit për kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese në kundërshtim të plotë me pikën IX të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, ky projektligj kufizon mandatin e shërbyesve civil të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese për nëpunësit aktual, gjë që është në kundërshtim të plotë me aktgjykimin e lartpërmendur.
Duke marrë parasysh defektet e mëdha që ka ky projektligj, por edhe LZP-ja aktuale, GLPS i bën thirrje qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të fillojnë një proces të ri të hartimit të politikave të shërbimit publik në përputhje me parimet moderne për administratë publike. Ndër të tjera, ne kërkojmë që në raste të tilla, qeveria të tregojë kujdes të shtuar në sigurimin e një qasje gjithëpërfshirëse, të bazuar në prova dhe analizë të mirëfilltë të të gjitha opsioneve më të mira dhe të përshtatshme, që ndër të tjera, garantojnë profesionalizëm, meritokraci dhe stabilitet të shërbimit publik.
I rikujtojmë qeverisë dhe institucioneve përkatëse që qasja e deritanishme përveç që nuk i shërben procesit Integrues, është e dëmshme edhe për vet shërbimin civil duke dekurajuar kuadrot e reja të jenë pjesë e tij në të ardhmen. Madje, të njëjtat i konsiderojmë si zgjidhje afatshkurtra dhe që i shërbejnë vetëm politikave ditore, duke mos siguruar qëndrueshmëri.