GLPS: Këshilli Prokurorial i Kosovës po abuzon hapur me ligjin

12 tetor 2020 | 12:20

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar ndaj veprimeve të fundit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) sa i përket kundërshtimit të saj për të njohur ekzistencën e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe prishjen e imazhit të Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtar .

Përmes një reagimi publik, ky grup ka vlerësuar se Këshilli Prokurorial i Kosovës po abuzon hapur me ligjin.

Sipas GLPS-së, Këshillit Prokurorial i Kosovës nuk po e njeh Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. “Siç jemi të gjithë në dijeni, organi përgjegjës për të menaxhuar zinxhirin më të rëndësishëm të luftës ndaj krimit e korrupsionit, KPK, së fundmi është bërë subjekt që kundërshton ekzistencën e ligjit special që parandalon konfliktin e interesit në Republikën e Kosovës, për ç’gjë, Ambasada e ShBA-së dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë braktisur monitorimin e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të KPK-së dhe kryeprokurorëve në njësitë prokuroriale. KPK, në vend që të ishte shembull i garantimit të zbatimit minimal të parimeve të transparencës, ndalimit të konfliktit të interesit dhe integritetit të lartë moral, ajo është bërë sinonim i keqpërdorimit të pushtetit publik që ne e hasim në nivel të partive e të qeverisë. Një prishje e imazhit në përmasa të tilla i jep argument të fortë Komisionit Evropian që të rishqyrtoj pozicionin e tij sa i përket dhënies së rekomandimit për heqjen e vizave për Republikën e Kosovës”, është thënë në reagim.

GLPS-ja ka thënë se është e brengosur me rehatinë me të cilën KPK-ja arsyeton vazhdimin e procesit për zgjedhjen e kryeprokurorëve në njësitë prokuroriale, duke mos njohur ekzistencën e këtij ligji.

“Kjo i bie që praktikisht KPK po thotë që Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit nuk zbatohet mbi ta. Në të njejtën linjë, Ministri i Drejtësisë Selim Selimi i’u bashkangjit këtij argumenti, kinse duke pranuar që sa më shpejtë të adresohen këto pretendime përmes ndryshimeve ligjore. Ju rikujtojmë të dy institucioneve që Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit zbatohet pa asnjë dilemë mbi sistemin prokurorial dhe çdo organ tjetër publik të shtetit. Asnjë përjashtim nuk e bën Ligjin në fjalë të pazbatueshëm mbi KPK-në. Argumenti i KPK-së është jo veçse i pakuptimtë juridikisht, por edhe me çasje tendencioze. Si mund të ngre një pretendim të tillë një organ qëndror i luftës ndaj krimit e korrupsionit? Çfarë mendon një zyrtar i lartë publik i korruptuar kur dëgjon një pretendim të tillë nga KPK-ja? Përgjigjet mbi këto pyetje janë natyrisht tregues që kapja e sistemit prokurorial është evidente saqë as kundërshtimet e partnerëve ndërkombëtar nuk i lejnë shenjë tendencave të KPK-së, në këtë rast”, ka vlerësuar GLPS-ja.

GLPS-ja i ka bërë thirrje KPK-së që të tërhiqet urgjentisht nga qëndrimi i tillë e të anulojë konkurset për kryeprokurorë.

“I kërkojmë KPK-së të tërhiqet urgjentisht nga një qëndrim i tillë, të anuloj konkurset në fjalë, dhe të njoh ekzistencën e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit si legjislacion pozitiv që përfshin edhe sistemin prokurorial. Ministrit Selimi i kërkojmë të distancohet nga minimizimi i problemit, dhe të mos bëhet bashkëpuntor në procese të tilla të diskutueshme. Kurse KPK të mos vazhdoj me asnjë konkurs të radhës pa përmbushur kushtet që të rikthehen në monitorim Ambasada e ShBA-së dhe Zyra e BE-së. Vetingu është e vetmja zgjidhje për ç’kapjen e sistemit të drejtësisë. Sjelljet e fundit të KPK-së po e forcojnë në çdo moment një argument të tillë”, ka vlerësuar GLPS-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin…