Gnabry dhe Witseli ndezin klasiken Bayern – Dortmund
Bundesliga gjithnjë premton për emocione të forta, por ende më e luftuar bëhet kur vjen momenti i klasikes gjermane të futbollit me dy prej gjigantëve si Bayern Munchen dhe Borussia Dortmund që do të sfidohen këtë të shtunë në “Alianz Arena”.
Gjithsesi këtë herë protagonistë të kësaj supersfide bëhen dy prej lojtarëve kryesorë të skuadrave respektive që në vigjilje të duelit japin opinionet e tyre në lidhje me të. Kështu mesfushori 23-vjeçar Serge Gnabry kërkon hakmarrjen ndaj verdhezinjve të Dortmundit me kampionët në fuqi të Gjermanisë që e shohin veten dy pikë poshtë Dortmundit në tabelën e klasifikimit.
“E presim këtë takim me optimizëm të lartë sepse vërtetuam se kemi potencial të madh me ato nëntë pikë shkëputjeje që i kompensuam ndaj Dortmundit. Jemi besimplotë pasi verdhezinjtë kanë treguar se janë të thyeshëm në momente të caktuara, siç e kanë treguar duke rrëshqitur nga pozicioni i tyre disa herë gjatë këtij edicioni. Sidoqoftë, ky takim është i një rëndësie të madhe për të dyja këto ekipe ndaj ne do të zbresim në fushë më të motivuar se kurrë për të qenë sërish kampionë dhe për ta çuar trofeun e radhës në shtëpi. Kjo ndeshje është mishërim i rivalitetit me Dortmundin që mbetet skuadra për t’u mundur në kampionatin gjerman. Kjo është ndeshja më e madhe e sezonit dhe jemi të lumtur që kemi avantazhin që e luajmë në shtëpi këtë here”, ka thënë Serge Gnabry, futbollist i Bayernit.
Nga ana tjetër qëndron belgu 30-vjeçar, Axel Witsel, që, gjithashtu, prezantohet shumë optimist në vigjilje të klasikes gjermane.
“Aktualisht jemi liderët e kampionatit dhe nuk duam të ndryshojmë asgjë nga kjo. Me këtë motivim do të shkojmë në Munchen dhe do të japim më të mirën tonë. Dortmundi e pret prej shumë kohësh këtë titull dhe do ta bëjmë maksimumin për ta sjellë atë në shtëpi. Gjithsesi është e kotë të dalësh me deklarata kur fjalën tonë do ta themi në mënyrën më të mirë të mundshme në fushën e blertë. Sigurisht se parashikohet një ndeshje shumë e fortë dhe e luftuar, por tashmë që kemi mbërritur deri në këtë pikë, kërkojmë majën. Do të shkojmë në Munchen, me synimin e vetëm të tri pikëve të fitores. Në këtë fazë çdo ndeshje mund të konsiderohet si një finale, por mentaliteti është ai u duhuri në kampin tonë, ndaj do të luftojmë të marrim hap pas hapi të gjitha fitoret që kërkojmë”, ka deklaruar Witsel.