Gnabry mungon në ndeshjen kthyese ndaj Arsenalit
11 prill 2024
| 16:40
Serge Gnabry ishte një ndër protagonistët e Bayernit në barazim 2-2 në Londër kundër Arsenalit, në takimin e parë çerekfinal të Ligës së Kampionëve.
28-vjeçari realizoi golin e barazimit momental 1-1 në minutën e 18-të, ndërkohë që 20 minuta përpara fundit u zëvendësua si pasojë e një problemi fizik.
Lojtari ofensivë i është nënshtruar testeve të detajuara mjekësore dhe do të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë 2-3 javore, për shkak të shqetësimeve muskulore.
Një lajm i keq për trajnerin Thomas Tuchel, i cili nuk mund të bazohet te lojtari i kombëtares gjermane për duelin e kthimit ndaj Gunners.
Bayern-Arsenal, sfidë ku do të përcaktohet edhe skuadra që kalon në gjysmëfinale, do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme, më 17 prill.