‘Goal’: Kosova do të ngrihet sërish kundër Anglisë
“Goal.com” ka mbetur i mahnitur me fanellën e re të Kosovës, të cilët lojtarët “dardanë” do ta bartin në ndeshjen përmbyllëse në kualifikime për Kampionatin Evropian 2020 kundër Anglisë, kah mesi i këtij muaji në Prishtinë. Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, versioni në gjuhën gjermane, “Goal” beson se me fanellën e re, e cila dominohet nga ngjyra e kaltër e kthjellët, do t’i ndihmojë Kosovës të ngrihet sërish kundër anglezëve.
Kompania zvicerane e veshmbathjes “Fourteen”, e cila është partner zyrtar i Kosovës, ditë më parë i zbuloi fanellat e reja për dy ndeshjet e përfundimtare të Kosovës në fushatën e saj të parë kualifikuese për Euro, kundër Republikës së Çekisë dhe Anglisë.
Në Pragë më 14 nëntor, Kosova do të luajë me fanellën ngjyrë të bardhë, ndërsa në tri ditë më vonë do të zbarkojë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e veshur kaltëreverdh. Kjo e fundit i ka lënë mbresa “Goalit”, që e quan të mahnitshme fanellën e kaltër me nuanca të së verdhës.
Në një postim në faqen e vet zyrtare në “Facebook”, “Goal” e ka publikuar këtë fanellë dhee ka përshkruar: “Kosova do të ngrihet sërish kundër Anglisë me një fanellë të veçantë. E mahnitshme”.
Kombëtarja dardane kishte veshur fanellë të veçantë edhe në ndeshjen e parë kundër Anglisë në Southampton në shtator, të cilën e humbi 5:3.
Ashtu si fanellat, edhe këto dy ndeshje finale të Grupit A kualifikues do të jenë të veçanta për Kosovën, sepse do ta përcaktojnë fatin e ekipit më të ri kombëtar në Evropë për pjesëmarrje apo jo në Evropian në tentimin e parë.