Godina e Shkollës Teknike “28 Nëntori” në Prishtinë është objekt historik dhe duhet të mbrohet nga shteti
Shkruan: Sadri Fetiu
Sot në Prishtinë u mbajt një proteste e nxënësve dhe e arsimtarëve të Gjimnazit “Ahmet Gashi” për shkak se kjo shkollë ishte mbyllur për ta nga organet kompetente komunale, me pretekst se godina ishte e vjetruar dhe nuk i plotësonte kushtet normale për punë… Në vend të kësaj godine, që do të rrënohej siç kishin vendosur këto organe, hapësira do të përdorej për destinime të tjera…
Në të vërtetë godina në fjalë ishte e Shkollës së Mesme Teknike “19 Nëntori” në fillim, e pastaj “28 Nëntori”, e cila, me vendimin e këtyre organeve, ishte liruar për t’i bërë vend gjimnazit që do të pagëzohej me emrin e një atdhetari nga periudha e Luftës së Dytë Botërore, profesorit të gjeografisë, Ahmet Gashit…
Hapësirës (truallit) ku gjendet objekti në fjalë kaherë ia kishte “vënë syrin” mafia e sotme e keqpërdoruesve dhe e shfrytëzuesve të pamëshirshëm të pasurisë sonë publike. Prandaj këtu nuk mundi të zë vend as Gjimnazi “Ahmet Gashi”…
Veprimet e këtyre ditëve flasin qartë se me çfarë perfiditeti kishin vepruar organet komunale të Prishtinës për ta zhdukur një objekt me vlera të veçanta mu nga qendra historike e Prishtinës. Pra, ishte e qartë taktika: së pari zhvendose nga trualli, shlyeja emrin e historinë e pastaj rrënoje me themel edhe godinën…
Duhet të thuhet se drejtuesit matrapazë të Shkollës Teknike “28 Nëntori”, pa bërë asnjë kundërshtim, për interesat e tyre meskine kishin pranuar që shkolla të zhvendosej nga objekti e vet, që i plotësonte të gjitha kushtet për punë dhe të shpërngulej diku në periferi të qytetit…
Pushtetarët zhgërryes e kishin maskuar bukur qëllimin e tyre me emrin e atdhetarit Ahmet Gashi dhe pritnin momentin kur do ta privatizonin (të themi më qartë: ta plaçkitnin në tërësi truallin mu “në zemër të qytetit” për ndërtime të banesave ose të objekteve të tjera, nga përfitimet e të cilave do të ngopej grykësia e tyre e shfrenuar…)
Nuk është fare me rëndësi se kush janë ata që po orvaten ta keqpërdorin, do ta zhgërryejnë (zhvatin) këtë pasuri publike… Dihet mirë një gjë: ata nuk kanë kurrfarë konsiderate për vlerën historike që ka godina e Shkollës Teknike “28 Nëntori” në Prishtinë e as për kurrfarë vlere tjetër kombëtare të popullit tonë…
Se ndërtesa e Shkollës Teknike “19 Nëntori”, përkatësisht “28 Nëntori”, ka vlerë historike, mund të thuhet edhe për arsyen e thjeshtë se ajo godinë gjendet mu në pjesën e vjetër historike të Prishtinës, të cilën ne si popull i qytetëruar dhe si shtet i organizuar jemi të detyruar që ta ruajmë…
Në këtë ndërtesë janë shkolluar pothuajse të gjitha kuadrat teknike të Kosovës, profesorët e fakulteteve teknike (makineri, ndërtimtari, elektro), inxhinierët e shumtë – ata që e kanë bartur barrën e zhvillimit të eltroekonomisë, të termocentraleve, të Fabrikës së Amortizatorëve, të minierave tona e të ndërmarrjeve të ndryshme ndërtimore e prodhuese…
Shkolla Teknike “28 Nëntori” e ka edhe historinë e vet të aktiviteteve atdhetare. Nxënësit dhe arsimtarët e kësaj shkolle qëndruan të pathyeshëm pothuajse një gjysmë shekulli në tortura dhe në burgjet jugosllave…
Nuk është nevoja që të përmenden me emra të veçantë, sepse është përgjithësisht e ditur se nxënësit e kësaj shkolle janë organizatorë të demonstratave të vitit 1968. Ata u përgjakën, u burgosën e torturuan dhe u flijuan në këto demonstrata, madje edhe ranë dëshmorë, si më 1968, po ashtu edhe më 1981 e më vonë deri në Luftën Çlirimtare të UÇK-së…
Në qoftë se popujt e qytetëruar gëzohen kur e gjejnë edhe një gjysmëshkrimi në gjuhën e tyre dhe i ruajnë me kujdesin maksimal objektet ku janë gjetur ato, ne a thua jemi aq primitivë sa mos të jemi në gjendje ta çmojmë vlerën e një objekti që flet shumë për arsimimin e inteligjencies sonë teknike dhe që është dëshmi për kalitjen e një brezi revolucionarësh që i organizuan demonstratat e viteve 1968, 1981 dhe Luftën Çlirimtare të UÇK-së…
Duke përfunduar këtë shkrim të shkurtër i ftoj të gjithë njerëzit vullnetmirë që ta ngrehin zërin kundër obskurantizmit të pushtetarëve tanë, që kanë vendosur ta shkatërrojë objektin historik të Shkollës së Mesme Teknike “28 Nëntori” në Prishtinë. Mendoj se ky objekt në gjendjen çfarë është sot me pak investime mund të përdoret edhe shumë vjet për nevoja të arsimit dhe se duhet të ruhet si vlerë e veçantë e pjesës së vjetër historike të Prishtinës, të cilën, fatkeqësisht, po e shkatërrojmë për ditë e më shumë…