Goditet rrjeti i spiunazhit kinez në Europë! Arrestime në Suedi, Gjermani dhe në Mbretërinë e Bashkuar
Spiunazhi i orkestruar nga Kina është shtuar gjatë viteve të fundit në Europë dhe këtë e tregojnë arrestimet e shumta të personave të dyshuar si spiunë për llogari të Kinës.
Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Gjermani këtë javë janë arrestuar 6 persona të dyshuar si spiunë të Kinës.
Ndërsa në fillim të prillit, Suedia dëboi një gazetar kinez, i cili kishte jetuar në vend për dy dekada, për shkak se ai “përfaqësonte një kërcënim për sigurinë kombëtare”.
Por, për ministrin e Jashtëm të Britanisë, David Cameron, aktualisht, marrëdhëniet mes vendit të tij dhe Kinës janë pozitive dhe në një nivel të mirë.
Këtë javë, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Blinken ishte në Kinë për të takuar presidentin kinez Xi, në Londër u zyrtarizuan akuzat kundër një asistenti parlamentar dhe një akademiku, të arrestuar tashmë vitin e kaluar.
Ata janë Christopher Cash, 29 vjeç dhe Christopher Berry, 32 vjeç.
Cash, me një të kaluar në Kinë si pjesë e Këshillit Britanik dhe drejtor i institutit konservator “China Research Group”, është i dyshuari kryesor, pasi ai ishte asistent parlamentar i dy presidentëve të Komitetit të Punëve të Jashtme në Ëestminster, deputetes konservatore Alicia Kearns, por edhe të paraardhësit të tij, nënsekretarit aktual të Brendshëm me përgjegjësi për sigurinë kombëtare, Tom Tugendhat.
Dy deputetët thonë se nuk janë absolutisht në dijeni të asaj që pretendohet se kanë kryer Cash dhe Berry.
Nuk është rastësi që inteligjenca britanike ka përsëritur prej muajsh se “kërcënimi më i rrezikshëm për sigurinë kombëtare afatgjatë” është Pekini. Ndërsa vjeshtën e kaluar, kryeministri Rishi Sunak i tha kolegut të tij Li Qiang se ai kishte “shqetësime të thella për ndërhyrjen kineze në demokracinë britanike”.
Prej muajsh disa universitete, duke përfshirë edhe atë të lavdishëm të Kembrixhit, kanë qenë në vështrimin e autoriteteve britanike për disa marrëveshje me institucionet kineze, të cilat sipas qeverisë, mund të përfaqësojnë një rrezik të madh infiltrimi armiqësor.
Për këtë arsye, qeveria Sunak njoftoi gjithashtu një program “vetting”, për të gjithë e përfshirë në programe me rrezik të lartë që mund të jenë objektiva të spiunëve.