Goditjeve që Rama iu përgjigjet me lule
Shkruan: Agron Hoti
– “Njiheni pavarësinë e Kosovës” pati thënë Rama midis Beogradit, midis Moskës, midis Brukselit e New Yorkut dhe vazhdon ta thotë në çdo takim rajonal, evropian dhe global, kurse kishte dhe ka plot sosh në Kosovë që e kritikojnë se po na përzihet në punë të brendshme.
– “Urdhëro Kosovë merr vaksina anticovid nga Shqipëria mëmë” thoshte Rama në ditë të vështira, kurse Kosova e bukëpërmbyste këtë ndihmë me refuzim.
– “I themi po marrëveshjes së shtatorit 2020 mes Kosovës e Serbisë në Shtëpi të Bardhë” thoshte Rama që po i gëzon sot benefitet në energji dhe megainvestime amerikane, arabe e evropiane, kurse Kosova i thoshte jo po asaj marrëveshje që vetë e kishte nënshkruar duke mbetur sot pa energji.
– “Evropë liberalizoja vizat Kosovës” s’lë vend pa e thënë publikisht edhe sot Rama, kurse Kosova thotë Rama po na përzihet në punë të brendshme.
– “Shqipëria duhet të çlirohet nga pushtimi” e akuzonte Ramën ’popelli i mirë’ i Kosovës kur po votonte në Shqipëri si askund në botë dhe kur në aleancë me minuesit e demokracisë atje po përgatiteshin për destabilizim të Shqipërisë për çka u desh të zbarkonte NATO për ta parandaluar përsëritjen e 97-tës në zgjedhjet e prillit 2021.
– “Prishtinë, na merre hekurudhën dhe portin e thatë” thoshte Rama për këtë megaprojekt që e solli Marrëveshja e Uashingtonit, kurse Kosova në njërën anë e refuzon në Kuvend Marrëveshjen e Uashingtonit sepse ashtu i duhej për vota, kurse jashtë Kuvendit i thotë po portit dhe hekurudhës.
– “Urdhëro Kosovë merr rrymë shqiptare për festën e Vitit të Ri 2021” mbante premtimin Rama, kurse plot në Kosovë e Shqipëri e quanin vëlla të Vuçiçit.
– “Duhet hedhur poshtë Raportin e Dick Martyt në Këshill të Evropës” tha Rama dhe nxori rezolutën, për të cilën Kosova heshti.
– “Rroftë UÇK dhe struktura drejtuese e saj” thoshte dhe vazhdon ta thotë Rama, kurse në Kosovë veç sa s’kërcisnin edhe tupanat nga gëzimi i arrestimit të çlirimtarëve në Hagë.
– “Mirë se ju gjej biznese të Kosovës” tha Rama midis Kosove, kurse Kosova heshti.
– “Mirë se vini biznese të Kosovës në Tiranë” tha Rama, kurse Kosova prapë heshti.
– “Ejani Kosovë në bashkëpunim rajonal t’i rrijmë dhëmb për dhëmb Serbisë, sepse po na e kërkojnë miqtë amerikanë sepse e keni nënshkruar vetë në Uashington”, Kosova përkundrazi i kthen Ramës shpinën dhe del refuzuese e bashkëpunimit rajonal (gjersa mallrat serbe i futen Kosovës edhe për dritare) dhe pavarësisht faktit që si amerikanët ashtu edhe evropianët aq shumë dhe aq shpesh na kërkojnë përkushtimin tonë për bashkëpunim rajonal.
– “Shqipëria dënon agresionin rus në Ukrainë” ishte rezoluta e Shqipërisë së drejtuar nga Rama ajo që në OKB u bashkësponsorizua edhe nga SHBA, kurse në Kosovë edhe sot vazhdojnë ta quajnë vëlla të Vuçiçit kryeministrin shqiptar.
– “S’ka kufi Kosovë-Shqipëri” mbante premtimin Rama për sezonën turistike, kurse në Kosovë s’lënë gjë pa thënë për të.
– ‘Populli i mirë’ i Kosovës formon parti në Shqipëri duke u përzier atje, kurse Rama përpos që nuk përzihet në Kosovë me parti politike, përkundrazi e ndihmon atë për aq sa mundet në të gjitha drejtimet e mundshme.
– “Urdhëro Kosovë merr porte shqiptare” e thotë vazhdimisht Rama, kurse në Kosovë heshtje.
– “Urdhëro Kosovë merr rrymë shqiptare” tha Rama sot në pikë të verës kur Shqipëria ka më së paku rrymë, kurse Kosova prapë hesht.
– “Urdhëro Kosovë merr rrymë shqiptare” do të thotë Rama edhe dimrit kur Shqipëria ka më së shumti rrymë, a thua çfarë do të thotë Kosova? A.H.