GOGOLI
DINO BUZZATI
Dino Buzzati (16. 10. 1906 – 28. 1. 1972) ka qenë shkrimtar italian. Ka shkruar novela, tregime të shkurtra, poezi. Ka qenë edhe piktor dhe gazetar. Me botimin e novelës Shkretëtira e tartarëve u bë i njohur në gjithë botën. Buzzati lindi në San Pellegrino, Belluni, në vilën stërgjyshore të familjes. Mamaja e Buzzatit ishte veterinere me profesion, kurse babai profesor i drejtësisë ndërkombëtare. Buzzati ndoqi rrugën e të atit, pasi regjistroi studimet në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Milanos. Por, edhe pse studio për drejtësi, nuk u bë as avokat, as prokuror, as profesor i juridikut. Në moshën 22-vjeçare e nisi punën e gazetarit në gazetën “Corriere della Sera”, në të cilën punoi derisa ndërroi jetë.
GOGOLI
Inxhinieri Roberto Paudi, asistent i drejtimit të Com-Prax dhe këshilltar i urbanistikës, u inatos pa fund kur një mbrëmje dëgjoi dadon Ester e cila, për të zbutur një tekë të djalit të vogël, Frankos, i tha:
– Shiko se, po u solle keq, natën ka për të të ardhur Gogoli.
Ishte e patolerueshme, sipas tij, që për t’i edukuar fëmijët të përdoreshin ende këto besëtytni që mund të ngjallnin në psikikën e njomë, komplekse të përvuajtura. Kështu e qortoi vajzën e cila u largua e përlotur, e iu desh atij vetë të vinte në gjumë të birin i cili shumë shpejt u qetësua.
Të njëjtën mbrëmje, Gogoli, duke shkelur me majat e gishtave ajrin, siç e kishte zakon të lëvizte, u shfaq në dhomën ku inxhinier Paudi po flinte i vetëm, duke i ngjallur disa minuta drithërim.
Gogoli, siç dihet, merrte në varësi të vendeve dhe të zakoneve lokale, forma të ndryshme. Në atë qytet, prej kohësh të hershme, mbante format e një kafshe gjigante me ngjyrë të errët, hija e të cilit luhatej midis hipopotamit dhe tapirit. I tmerrshëm në pamje të parë por, nëse vëzhgohej me kujdes, vihej re, nga përthyerja e butë e gojës dhe nga shkëlqimi gati i dashur i vështrimit, një shprehje që mund të ishte gjithçka, përveçse e keqe.
Vetëkuptohet se në rrethana të njëfarë rëndësie dinte të ngjallte të dridhura ose edhe frikë, por zakonisht i çonte në fund ndërhyrjet e tij, me takt. Kur i avitej krevatit të fëmijës që do të ndëshkohej, as nuk e zgjonte fare, por depërtonte në ëndrrat e tij ku linte një gjurmë të përhershme. E dimë mirë, në fakt, se edhe ëndrrat e vogëlushëve të vegjël kanë një hapësirë të pakufizuar dhe pranojnë pa problem edhe krijesa vigane si Gogoli të cilët mund të kryejnë të gjitha veprimet e rastit në liri të plotë.
Natyrisht se kur iu shfaq inxhinier Paudit, krijesa antike nuk kishte një pamje shumë dashamirëse, por mbante fizionominë, kuptohet të stërmadhuar, të profesor Galurios, i emëruar prej dy muajsh si komisar i jashtëzakonshëm i COMPRAX-it, shoqëri që po notonte në ujëra të vështira. Dhe ky profesor Galurio, njeri tejet i ashpër, në mos po i pakomunikueshëm, qe pikërisht frika më e madhe e Paudit, pozita e të cilit në ndërmarrje, nën këtë situatë kontrolli, rrezikohej jashtëzakonisht.
Paudi, si u zgjua nën një petk djersësh të ftohta, arriti ta shohë në kohë vizitorin që po ia mbathte përmes murit (dritarja nuk do të kishte qenë e mjaftueshme për ato përmasa të mëdha), duke i treguar kupolën monumentale të të pasmeve të tij.
Mëngjesin tjetër Paudi as mori mundimin t’i kërkonte ndjesë Esterës së gjorë. Madje kur verifikoi personalisht se Gogoli ekzistonte vërtet, iu rrit, bashkë me përçmimin, vendosmëria e patundur për ta hequr me çdo kusht qafe këtë tipin.
Disa ditë më vonë, thuajse me shaka, ai i kërkoi mendim gruas, miqve, bashkëpunëtorëve. Dhe mbeti i habitur kur pa se ekzistenca e Gogolit përgjithësisht dihej nga të gjithë, si një ngjarje klasike e natyrës, sikundër shiu, tërmeti dhe ylberi. Vetëm doktor Xhemonio, i zyrës ligjore, mbeti pa mend kur e pyeti: po, i vogël pat dëgjuar të flitej nëpër mjegull për atë gjë, por pastaj ia mbushi mendjen vetes që ishte një përrallë kalamajsh pa thelb brenda.
Sikur ta dinte kundërshtinë e thekur të tij, Gogoli që nga ajo ditë filloi të frekuentojë me këmbëngulje të spikatur inxhinierin, gjithmonë nën maskën e pakëndshme të profesor Galurios, duke e përqeshur, i tërhiqte këmbët, e shkundte në shtrat, e një mbrëmje arriti aty sa iu kruspullua në gjoks e, për pak, nuk i mori frymën. S’ka për t’u habitur atëherë nëse Paudi, në mbledhjen e radhës të Këshillit Komunal, e bisedoi me disa kolegë: a mund të lejohej në një metropol që mburrej të ishte në pararojë, përsëritja e një maskarallëku të tillë, i denjë për Mesjetën? A nuk ishte rasti të zgjidhej përfundimisht kjo punë, me mjetet e përshtatshme?
Në fillim lindën pëshpërima korridoresh, shkëmbime joformale pikëpamjesh. Thënë shkurt, reputacioni që gëzonte inxhinier Paudi i hapi rrugën. Nuk kaluan as dy muaj kur problemi mbërriti në Këshillin Komunal. Kuptohet vetiu, për ta shmangur qesharaken, që rendi i ditës nuk e zinte goje Gogolin, por në nenin 5 përmendte vetëm një “fakt të turpshëm shqetësimi për qetësinë mbrëmësore të qytetit”.
Ndryshe nga ajo çka priste Paudi, jo vetëm se argumenti u prit seriozisht nga të gjithë por, teza e tij, që mund të tingëllonte së largu e qartë, ndeshi kundërshti të forta. U ngritën zërat në mbrojtje të kësaj tradite sa të padëmshme aq dhe piktoreske, që lindte në agun e kohëve, duke nënvizuar sa i padëmshëm ishte në tërësi përbindëshi i natës, veç të tjerash, krejt i heshtur, si dhe duke zbuluar të mirat edukuese të pranisë së tij. Pati nga ata që folën deri edhe për një “atentat ndaj trashëgimisë kulturore të qytetit”, nëse nuk do të ndërmerreshin masa represive dhe oratori që e citoi u mbulua nga duartrokitjet.
Nga ana tjetër, në çështjen në fjalë, mbizotëruan në fund argumentet e parezistueshme të të ashtuquajturit progres, që i përdor shumë shpesh për t’i shkatërruar fortesat e fundit të misterit. Gogoli u akuzua që linte një gjurmë të pashëndetshme në shpirtrat fëmijërorë, që ngjallte ndonjëherë makthe në kundërshtim me pedagogjinë zyrtare. Dolën në shesh edhe motivet e higjienës: po, është e vërtetë, përbindëshi i mbrëmjes nuk e bënte pis qytetin e as linte ndotje personale të asnjë lloji, por kush mund të garantonte që nuk ishte bartës i mikrobeve dhe i viruseve? Rreth tij, pastaj, nuk dihej asgjë konkrete mbi bindjet politike: si mund të përjashtohej që ndikimi i tij, në dukje aq i thjeshtë, në mos i rëndomtë, të mos fshihte përbrenda kërcënime shkatërrimtare?
Debati në të cilin gazetarët nuk u lejuan, nisur nga delikatesa e temës, përfundoi në orën dy pas mesnate. Propozimi i Paudit u aprovua me një shumicë të ngushtë prej pesë votash. Për vënien praktike në jetë të tij u emërua një komision i posaçëm ekspertësh, i udhëhequr nga vetë Paudi.
Në fakt, ta deklaroje izolimin e Gogolit ishte një gjë, e tjetër gjë ishte eliminimi i tij. Pa dyshim se nuk mund të zihej besim në disiplinën qytetare të tij: aq më tepër që nuk dihej nëse ishte në gjendje ta kuptonte gjuhën e folur. As nuk mund të mendohej dot që të kapej dhe t’i dorëzohej Kopshtit Zoologjik të qytetit: cili kafaz do të mund të mbante dot brenda një kafshë, nëse ishte kafshë, të aftë të kalonte mes përmes mureve? Edhe helmi duhej hequr nga lista: Gogolin nuk e kishin parë kurrë të hante apo të pinte. Flakëhedhësi atëherë? Një bombë e vogël me napalm? Rreziku për banorët e qytetit ishte i tepërt në këto raste.
Zgjidhja, pra, në mos e pamundur, paraqitej tejet problematike. Dhe ndërsa Paudi e ndiente t’i shpëtonte duarsh suksesi i dëshiruar, u shfaq një dyshim: po, përbërja kimike dhe struktura fizike e Gogolit ishin të panjohura por, siç ndodh për shumë krijesa të regjistruara në gjendjen civile të legjendave, a s’mund të ishte shumë herë më i dobët dhe më i thyeshëm nga sa mendohej gjerësisht? Kush e di, ndoshta mjaftonte një plumb i thjeshtë, i gjuajtur në pikën e duhur dhe drejtësia do të vihej në vend.
Forcave të sigurisë publike, pas vendimit të Këshillit Komunal të firmosur edhe nga kryetari i Bashkisë, s’u mbetej veçse të bashkëpunonin. U krijua, në zemër të skuadrës së policisë, një patrullë e veçantë, e pajisur me automjete të shpejta të ndërlidhura me radio. Krejt kjo u realizua lehtësisht. Rrethana e vetme e çuditshme: njëfarë ngurrimi nga ana e nënoficerëve dhe policëve për të marrë pjesë në gjueti; ishte frikë? Ishte druajtja e errët e dhunimit të një porte të ndaluar? Apo thjesht një lidhje nostalgjike me disa kujtime të furishme fëmijërie?
Takimi ndodhi në një natë të acartë hënëplotë. Patrulla e vendosur në një kënd të errët të Sheshit “Cinquecento” e pikasi vagabondin tek çante ajrin, qetësisht, në 30 metra lartësi, i ngjashëm me një nëndetëse të vogël. Agjentët, me armët në duar, bënë përpara. Përreth nuk ndihej asnjë frymë tjetër. Kërcitja e shkurtër e breshërive u dëgjua si jehonë shumë larg.
Skena ishte mjaft e pazakontë. Me ngadalë, Gogoli u vërtit rrotull vetes pa nxjerrë një pëshpërimë, e duke ngritur këmbët lart, u rrëzua ngadalë derisa preku dëborën. Aty mbeti i shtrirë, i palëvizshëm, përgjithmonë. Drita e hënës reflektohej mbi barkun e stërmadh, të tendosur, që shkëlqente si llamarinë.
– Diçka që do të preferoja mos e shihja për herë të dytë, – rrëfeu më vonë tetar Kotafavi. Një pellg gjaku u zgjerua, në mënyrë të pabesueshme, poshtë viktimës, e zezë nën dritën e hënës.
U lajmëruan menjëherë me telefon ata të morgut për ta hequr tutje kufomën. Nuk mbërritën dot në kohë. Në ata pak minuta gjëja gjigante, ashtu si ndodh me tullumbacet e shpuara, u shfry hap e mbyll sytë, u katandis në një larvë të gjorë, u shndërrua në një krimbth të zi në të bardhën e borës, në fund edhe krimbthi u zhduk, duke u tretur në hiç. Mbeti vetëm pellgu i turpshëm i gjakut të cilin e fshinë para mëngjesit hidrantët e pastruesve të rrugës.
U hapën fjalë se në qiell, derisa krijesa po jepte shpirt, shkëlqente jo një hënë, por dy. U fol që në gjithë qytetin, zogjtë e natës dhe qentë u ankuan përvajshëm shumë gjatë. U përsërit që shumë gra, të moshuara dhe fëmijë, të zgjuara nga një thirrje e errët, dilnin nga shtëpitë, të gjunjëzuara, duke u lutur për të gjorin. E gjithë kjo nuk është e provuar historikisht. Në fakt, hëna e vazhdoi pa tronditje udhëtimin e paracaktuar nga astronomia, orët kaluan rregullisht njëra pas tjetrës dhe të gjithë fëmijët e botës vazhduan të flinin të qetë, pa e imagjinuar që miku-armik lozonjar kishte ikur njëherë e përgjithmonë.
Pat qenë shumë tepër delikat dhe i ëmbël nga sa e besonin të tjerët. Pat qenë i krijuar nga ajo substancë e pakapshme që vulgarisht quhet përrallë apo iluzion: megjithëse e vërtetë.
Vrapo, arratisu, vrapo, fantazi e mbijetuar deri më sot. E etur për të të zhdukur, bota civile të është qepur pas, nuk do të të japë më paqe.
(Marrë nga numri i dytë i revistës “Akademia”. Përktheu nga italishtja: Eris Rusi)