Gola i LV-së: Veteranët meritojnë më shumë se pagë minimale, por listat duhen pastruar
Ardian Gola, deputet i Kuvendit të Kosovë nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se veteranët e UÇK-së meritojnë më shumë se pagën minimale, por ai shton se listat duhet të pastrohen.
Në një intervistë në DPT te Fidani në T7, Gola ka thënë se edhe ish-presidenti Hashim Thaçi kishte thënë se “listat janë të fryra”.
Rrjedhimisht, ai thotë se dërgimi i seancës së 13 korrikut në Gjykatë Kushtetuese, ku përfshihet edhe paga minimale, është në kundërshtim me qëndrimin e Thaçit për listat e veteranëve.
“Kjo i bie që ata do ta dërgojnë vetë iniciativën e tyre, realisht heqjen e kompensimit dhe mbështetjes financiare për veteranët ka filluar me mandatin e PDK-së, siç atë botë ne e dim vetë kritikat që i kanë pasur eksponenentët e PDK-së si Hashim Thaçi kritikonte fryerjen enorme të veteranëve, madje e thotë se kjo fyerje e listës do të jetë një barrë e papërballueshme për buxhetin e Kosovës”, ka thënë ai.
“Vetëvendosje po e ndjek një rrugë të logjikshme që do të imponojë një politikë e cila do të kërkojë që në njëfarë mënyre vetë organizatat e dala nga lufta ta marrin seriozisht pastrimin e listave nga persona që nuk kanë qenë pjesë e UÇK-së”, ka deklaruar Gola.