Gola kërkon nga Jasharaj të mos përmend emrin e kryeministrit pa qenë prezent
Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj, ka thënë se në mesin e njerëzve që po shahen është ai dhe shumë mësimdhënës.
“U tentua që Rrahman Jasharaj të shpallet armik i vendit. Dhe asnjëherë nuk u distancuan deputetët e pozitës dhe kryeministri. Uroj që të kenë atmosferë të njëjtë siç e kam unë në shtëpi, uroj ta kenë nga Zoti”,ka thënë ai në Komisionin për Arsim, duke shtuar se për situatën në arsim fajtor është kryeministri Albin Kurti.
“Mua duhet të më përcjellin në rrugë shokët, për shkak të inskenimeve. Rrahman Jasharaj nuk e ka shpallur dhe nuk e mbyll grevën. I vetmi fajtor është kryeministri Kurti dhe qeveria që drejton”.
“82 shkresa i ka dërguar BSPK-ja dhe asnjë takim serioz nuk kemi pasur. Takimi dy orësh me Muratin, kryeministrin, ministren e Arsimit, doli me stilin merr ose le. U bullizova nga kryeministri në Kuvend për shprehjen vëlla. Sepse në Kosovë kur bisedojmë pa hile, e përdorim shprehjen ‘vëlla’. E harroj fjalinë e dytë kur i thash bëj të pamundurën si vëlla e kryeministër”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola ka thënë se është interes jetik të ruhet autoriteti dhe integriteti i mësuesit.
Ai ka thënë se nuk është mirë që të përmenden emrat e kryeministrit, e të tjerëve që përmendi Jasharaj. Për këtë Jasharaj ka thënë se nuk do të flas më dhe të njëjtën gjë e ka bërë Kurti në Kuvend, por ai nuk është ndaluar.
“Mendoj se SBAShK-u është palë jashtëzakonisht e rëndësishme. Është interes jetik për mësimdhënësit që të ruhet integriteti dhe autoriteti i mësuesit. Në këtë kontekst e konsideroj takimin me ju shumë të rëndësishëm. Unë mendoj se secili prej nesh ndan hallet e përbashkëta për të drejtat e mësimdhënësve në mënyrë qe të tejkalojmë gjendjen”, ka thënë ai.