Gola: Me uniformë fetare s’nënkuptohet bartja e shamisë; Balje: Ministrja na ka premtuar ndryshimin e UA-s
Kryetari i Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, ka thënë se udhëzimi administrativ që ndalon bartjen e uniformave fetare nuk duhet që të shfuqizohet, por që institucionet shkollorë duhet që të kenë kujdese që me uniformë dhe simbol fetar nuk nënkupton bartja e shamisë.
Gola, i cili është deputet i Lëvizës Vetëvendosje, ka theksuar se në momentin që ka përjashtime të nxënësve nga shkolla për bartje të shamisë, duhet që në këto raste të ketë inspektime pasi nuk po respektohet e drejta e saj për shkollim.
“Para se gjithash unë nuk mendoj që një udhëzim administrativ që normon ndalesën e përdorimit të uniformave dhe simboleve fetare do të shfuqizohet. Po duhet pasur kujdes që me uniform dhe simbol fetar nuk nënkuptohet shamia, vetëm simbolet dhe uniformat fetare. Mendoj që është krejtësisht e logjikshme që në një shtet sekular të mos përdoren në institucione publike simbolet fetare, aq më tepër që ne po flasim për një kontekst kulturalisht jo vetëm të ndjeshëm çfarë është Kosova, me këtë rast komponenta fetare din nganjëherë me elektrizuar raportet shoqërore, din nganjëherë me polarizuar raportet shoqërore prandaj mendoj që është plotësisht e logjikshme. Mirëpo me sa e di unë nuk ka as një shkollë në Kosovë që shfaq pengesa juridike që një vajzë të përdor shaminë në shkollë. Tash nëse ka raste që ka ndalesa, ku një vajzë ndalohet që të përdor shaminë atëherë duhet që të thirren instancat përkatëse, inspektorati, që nuk po respektohet e drejta e saj për shkollim”.
“Jo për shkak se shamia nuk mund të interpretohet si uniformë fetare, nuk është uniform fetare. Është një veshje e një religjioni edhe aq. Tash në këtë rast do të duhej që të inspektohet rasti edhe instancat përkatëse të marrin vendimin se sa ky vendim i shkollës ka qenë në përputhshmëri me normat ligjore në fuqi”.
E kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Duda Balje, ka thënë se ky udhëzim administrativë duhet të ndryshohet pasi nuk është i specifikuar, dhe në këtë formë sipas saj, është duke lënë hapësirë që vetë drejtorët e shkollave të vendosin se a duhet që një vajzë që bart shami të përjashtohet nga shkolla apo jo.
Për këtë ajo ka thënë se shamia nuk është uniformë dhe se udhëzimi administrativ nuk mundet me qenë me i fuqishëm se Kushtetuta, e cila garanton të drejtët e çdo qytetari për shkollim.
“Çdo fillim vit shkollorë ne kemi problemin e njëjtë, nuk kanë nevojë që të komplikojnë situatën. E para shamia nuk është uniformë dhe secila vajzë që është me shami dhe pa shami ka të drejt që të shkollohet. Udhëzimi administrativ nuk mundet kurrë me qenë me i fuqishëm se Kushtetuta e para kjo. E dyta, udhëzimi administrativ nuk është i specifikuar dhe është duke lënë mundësi që secili drejtor në nivelin lokal, në nivel shkolle me vendos a do të shkojë një vajzë me shami në shkollë a jo. Ne me këtë udhëzim administrativ kemi lënë një drejtor të shkollës me vendos për këtë. Ne kemi ligj, ne kemi Kushtetutë edhe tash nëse je duke folur me drejtor thonë se ne kemi udhëzimin administrativ i cili nuk ka të përcaktuar për veshjen e simbolit fetar”, ka thënë ajo.
Balje ka thënë se kanë pasur kërkesa të vazhdueshme për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, që të ketë ndryshime, por pavarësisht premtimeve tash e katër vite nuk është ndërmarr ndonjë hap për të ndryshuar udhëzimin administrativ.
“Sa herë kemi thirrur ministren e Arsimit për të diskutuar për këtë, që të ndryshohet udhëzimi administrative, kemi pas premtime që do të ndryshohet, por që katër vite as një hap konkret nuk kemi pasur. Moralisht jemi duke ndikuar sepse ata kanë frikë tash sepse nuk janë të sigurta se a do të ju ndihmoj shteti, këtu do të thotë secilin vit kemi problem unë shpresoj që ministria do të gjejë zgjidhje për këtë”, ka thënë ajo.
Që nga viti 2014 ekziston një udhëzim administrativ i Ministrisë së Arsimit, që ndalon bartjen e uniformave fetare në shkolla, i njëjti madje është kundërshtuar disa herë edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës. /EO/