Golden State dorëzohet përballë Torontos, Lakersat i rikthehen fitoreve
Supersfida në mes Golden State Warriors dhe Toronto Raptors u mbyll 131-128 në favor të kanadezëve, pasi u luajt edhe një pjesë shtesë. Pavarësisht performancës së mirë të Kevin Durant, i cili shënoi 51 pikë, mori 11 topa në tabelë dhe dhuroi 6 asistime, kampionët nuk arritën të marrin fitoren përballë një prej skuadrave më të mira të këtij sezoni.
Për Raptors, shkëlqeu Kawhi Leonard me 37 pikë dhe 8 rebound, por dhe Kyle Lowry, me 10 pikë, 8 topa në tabelë dhe 12 asistime. Sukses edhe për Los Angeles Lakers, 104-96 përballë Indiana Pacers. Pas paraqitjes zhgënjyese kundër Denver Nuggets, LeBron James u kthye të jetë lider i skuadrës si zakonisht, me 38 pikë, 9 rebound dhe 7 asistime për shokët e skuadrës. Ndërkohë, më i miri për Pacers ishte Domantas Sabonis, djali i legjendës lituaneze Arvydas Sabonis, me 20 pikë dhe 15 topa në tabelë. Kjo ishte fitorja e 12-të për Lakers në 21 takime të këtij sezoni, dhe aktualisht renditen të 7-ët në Konferencën e Perëndimit, raporton “SS”.
Edhe rivalët e përjetshëm të Lakers, Los Angeles Clippers, arritën një fitore të rëndësishme kundër Sacramento Kings, me rezultatin 133-121. Skuadra e Doc Rivers vazhdon në këtë mënyrë ecurinë pozitive në kampionat, duke udhëhequr në Perëndim. Tobias Harris shkëlqeu me 28 pikë dhe 6 rebound për Clippers, ndërkohë tek Kings nuk mjaftuan 26 pikët dhe 6 asistime e Bogdan Bogdanoviq për të marrë fitoren.