Golden State ‘leksion’ Portlandit, pranë titullit kampion në Perëndim
Skuadra e Golden State fitoi 110-99 ndaj Portlandit në finalen e tretë të “play-off”-it mes dy ekipeve në Konferencën e Perëndimit, duke udhëhequr 3-0 serinë e takimeve. Kampionët e Warriors janë vetëm një fitore larg titullit kampion në Perëndim. Sfida e tretë luajtur në Portland ishte me dy pamje, më e mirë për vendasit në pjesën më të madhe të lojës, që udhëhoqën deri në 18 pikë në periodën e dytë. Ai që shkëlqeu për skuadrën e Portland ishte McCollum me 23 pikë, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen.
Pikërisht atëherë kur nuk pritej erdhi përmbysja e Golden State, të cilit i mjaftoi perioda e katërt për të dominuar në fushë dhe fituar takimin. Curry realizoi 36 pikë, duke qenë lider në fushë. Mirë u paraqit edhe Green, që realizoi një “triple double”, me 20 pikë, 13 rebound e 12 asistime, raporton “Telesport”.
Edhe në ketë ndeshje mungoi Kevin Durant për Golden State, i dëmtuar, ashtu sikurse DeMarcus Cousins. Ndeshja e katërt do të luhet në fushën e Portlandit, që ka shansin e fundit për të rihapur garën për titull në Perëndim.
Konferenca e Lindjes – Finale “play-off”
Milwaukee – Toronto (2-0)
Konferenca e Perëndimit – Finale “play-off”
Golden State – Portland 110-99 (3-0)