Golden State merr kryesimin në Perëndim, Lakersat fitojnë edhe pa LeBron
Golden State ka fituar 142-111 ndaj Denverit, në ndeshjen mes dy skuadrave kryesuese të renditjes në Konferencën e Perëndimit. Sukses që ka ngjitur ekipin kampion në vendin e parë në këtë kah të NBA-së, duke bërë rokadë me Denver, tashmë i dyti. Ndeshja u dominua dhe fitua pa shumë probleme nga basketbollistët e Warriors, që treguan se atëherë kur duhet, nuk gabojnë.
Denveri nuk përfitoi nga faktori fushë, duke zhgënjyer para fansave të tij, ndërsa për miqtë Curry e Thompson realizuan nga 31 pikë, mbështetur edhe nga Durant me 27 pikë, një trio që shkëlqeu në fushë. Golden State vendosi edhe rekordin e 51 pikëve të realizuara në periodën e parë në NBA. Në Perëndim fiton edhe skuadra e Lakers, që rikthehet te fitorja, duke mundur 107-100 Chicago.
Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me të dyja ekipet që duluan fort për fitore, por në të dytën kalifornianët bënë diferencën në fushë, me Ball që realizoi 19 pikë. Pa probleme fiton edhe skuadra e Milwaukee, që mundi 124-86 Miami, duke u ngjitur në vendin e dytë në Lindje. 7 lojtarë të Bucks realizuan mbi 10 pikë, me të zakonshmin Antetokuonmpo që e mbylli me një “triple double”, 12 pikë, 10 rebound e 10 asistime, raporton “Telesport”.
Në ndeshjet e tjera të luajtura sot, skuadra e Indiana fitoi 131-97 ndaj Phoenix, ndeshje në sens unik, dominuar nga vendasit, me Bogdanoviq e Evans që realizuan nga 20 pikë. Zhgënjen skuadra e Oklahomës, që u mund 142-126 nga Atlanta, ndeshje spektakolare dhe emocionuese. Collins me 26 pikë ishte shënuesi më i mirë i Atlanta, duke i bërë të pavlefshme 31 pikë e 11 asistime të Westbrook. Fiton edhe Philadelphia, që mundi 149-1-7 Minnesota, me Embiid që realizoi 31 pikë e 13 rebound.
Rezultatet
Indiana – Phoenix 131-97
Philadelphia – Minnesota 149-107
Atlanta – Oklahoma 142-126
Milwaukee – Miami 124-86
Denver – Golden State 111-142
Lakers – Chicago 107-100