Golden State mposhti edhe Denverin
Golden State nuk përmbahet më, fiton edhe në ato sfida ku has jo pak vështirësi siç ndodhi në përballjen me Denver Nuggets.
Kampionët në fuqi të NBA e mbyllën sfidën me rezultatin 124-114 në një ndeshje ku basketbollistët e Nuggets bënë një paraqitje mjaft të mirë, por pa mundur që të ndalin vrullin e Warriors. Stephen Curry luajti në standardet e tij duke shënuar 32 pikë në këtë përballje për Golden State që vazhdon të jetë në krye të Konferencës së Perëndimit.
San Antonio e harroi disfatën e pësuar në sekondat e fundit ndaj Portland duke mposhtur Sacramento kings 107-100. Teksanët nuk e nisën mirë këtë sfidë dhe në dy periodat e para ishte në ndjekje të rezultatit kundrejt Sacramentons.
Megjithatë Spurs arriti të kalojë momentet e vështira falë LaMarcus Aldridge me 31 pikë e 12 topa në tabelë e Davis Bertans me 28 pikë. Sacramento e pati të pamundur të ruajë avantazhin e pjesës së parë pavarësisht 22 pikëve e 9 topave në tabelë të Cauley-Stein.
Mbrëmja e radhës në NBA ishte krejtësisht për t’u harruar për Cleveland e sidomos LeBron james. Skuadra nga Ohio u mund nga Minnesota 99-127, ndërsa The King e mbylli ndeshjen me vetëm 10 pikë, 8 topa në tabelë e 5 asistime, raporton “TCH” Të vetmit që bënë diçka për të ndryshuar fatin e sfidës për Cleveland ishin Kyle Corver dhe Jeff Green që shënuan respektivisht 19 dhe 22 pikë.
Për Minnesotën që tashmë është në vendin e 4 në Konferencën e Perëndimit, spikati Andrew Wiggins me 25 pikë e 6 topa në tabelë.