Golden State ndalet nga Bostoni, Lakersat triumfojnë në shtesë
Pas katër fitoreve radhazi, Golden State Warriors ndalet në transfertën e vështirë ndaj Boston Celtics, që ofroi edhe një duel brenda sfidës mes dy yjeve Stephen Curry dhe Jayson Tatum, të dy në një formë fantastike.
Në “TD Garden” të Bostonit, ishin miqtë ata që e nisën mjaft vrullshëm ndeshjen, duke fituar fraksionin e parë me shifrat 24-33, falë edhe formës së shkëlqyer të Stephen Curryt, që shënoi 47 pikë, rikuperoi 7 topa dhe dha 3 asistime. Megjithatë Boston reagoi mirë më pas dhe arriti të fitojë të tre pjesët e tjera, duke triumfuar me rezultatin final 119-114, ndërsa për Celtics spikati veçanërisht Jayson Tatum me 44 pikë, 10 rikuperime dhe 3 asistime.
Kjo ishte fitorja e 6 radhazi për Boston Celtics, që ka blinduar pozitat në zonën “play-off” të renditjes në Konferencën e Lindjes, ndërsa Warriors do të duhet të djersijnë ende shumë për të siguruar një vend në fazën finale. Pas katër fitoresh radhazi, ndalet edhe Phoenix Suns, që u mposht në shtëpi nga San Antonio Spurs me rezultatin final 85-111. Spurs e nisën vrullshëm ndeshjen dhe fituan dy fraksionet e para me diferencë pikësh, të cilën e ruajtën më pas deri në fund të takimit, ndërsa për Phoenix zhgënjeu basketbollisti nga Bahamasi, Deandre Ayton, i cili shënoi vetëm 8 pikë, ndonëse qëndroi në fushë për më shumë se 26 minuta.
Ka marrë një fitore me mjaft vlera Los Angeles lakers, që triumfoi me shifrat 127-115 në “Staples Center” përballë kryesuesve të Konferencës së Perëndimit, Utah Jazz. Pas një nisjeje disi të vakët, kalifornianët reaguan në fraksionin e dytë dhe të tretë, duke shkuar në pjesën e fundit me 14 pikë diferencë, por këtu u zgjuan sërish miqtë e Jazz, të cilët bënë që koha e rregullt të mbyllej në barazim 110-110. Koha shtesë foli tërësisht për Lakersat, që të udhëhequr nga dyshja Drummond-Schroder, ia dolën të fitojnë me rezultatin 17-5, duke siguruar kështu suksesin edhe në të gjithë takimin me shifrat 127-115.
Në sfidat e tjera Chicago Bulls fitoi me rezultatin 106-96 ndaj Cleveland Cavaliers, Washington Wizards mposhti Detroit Pistons me rezultatin 121-100 falë një forme mjaft të mirë të Bradley Beal, ndërsa Memphis Grizzlies regjistroi suksesin me shifrat 115-128 në transfertën ndaj Milwaukee Bucks. /Supersport/