Golden State nuk një rivalë në NBA
Golden State Warriors i jep leksion edhe San Antonio Spurs, duke i treguar se në NBA ligjin e bëjnë ata. Për të konfirmuar supermacinë dhe për t’u treguar të gjithëve se janë favoritët kryesorë në garën për titullin kampion, Golden State triumfoi me rezultatin 141-102 ndaj ekipit teksan.
Në “Oracle Arena” nuk kishte aspak histori me kampionët në fuqi të NBA-s që zgjidhën gjithçka që në pjesën e parë. Klay Thompson me 26 pikë ishte më i miri mbi parket për Warriors në këtë sfidë ndërkohë që Kevin Durant dhe Steph Curry shtuan respektivisht 23 dhe 19 pikë edhe pse diferencën mes dy skuadrave e bëri loja në grup e Golden State. Kjo ishte fitorja e 38-të në 53 ndeshje për skuadrën e trajnerit Steve Kerr që tashmë nuk e diskuton më kreun e renditjes në Perëndim përsa i përket sezonit të rregullt, raporton “SS”. James Harden vazhdon të impresionojë ndërkohë që Houston Rockets fiton sërish. 36 pikë realizoi ylli i Houstonit në suksesin e lehtë me shifrat 127-101 brenda në Kaliforni përballë Sacramento King, skuadër që po kalonte një moment shumë pozitiv por që u dorëzua përballë klasit që zotëron Hard i skuadrës teksane. Te Rockets në këtë duel spikati edhe Green me 25 pikë. Nuk njeh limite në këtë sezon Milwaukee Bucks që regjistroi fitoren e 17-të në 20 ndeshjet e fundit pasi theu në Wincosin me rezultatin e thellë 148-129 Washington Wizards, sfidë në të cilën diferencën e bëri i përhershmi Giannis Antetokounmpo autor i 43 pikëve ndërsa e ndihmoi Milwaukee edhe me 4 asistime e 6 rikuperime poshtë tabelës. Kryeqytetasve në krahun tjetër nuk u mjaftuan 30 pikët e Bradley Beal. Vijon momenti jo për Denver Nuggets. Skuadra nga Colorado pësoi humbjen e dytë rresht pasi u mposht nga Brooklyn Nets me rezultatin 135-130.
Thjeshtë fantastik edhe njëherë tjetër D’Angelo Russell i cili koleksionoi në total 27 pikë 11 asistime e 6 rebound. Teksa Los Angeles Lakers vazhdon të vuajë te Brooklyn Nets po mrekullohen çdo ditë e më shumë nga paraqitjet e talentit D’Angelo Rusell i cili po i çon i vetëm në “play-off” dhe nuk u mbetet gjë tjetër veçse të falënderojnë Lakers për dhuratën që u bënë duke u dhënë një talent si Russell në verën e vitit 2017 për të marrë në shkëmbim një “kartë të djegur” si Brook Lopez i cili pas një sezoni te kalifornianët tashmë është pjesë e Milwaukee Bucks.
Paraqitje këto që kanë bërë që 22-vjeçari Russell të jetë një nga lojtarët e All Star Game të këtij viti. Te Denver ndërkohë shkëlqeu i përhershmi Nikola Jokiq por shifrat e dyfishta në çdo aspekt të lojës të yllit serb nuk mjaftuan që Nuggets të evitonin humbjen.