Golden State pëson humbje nga Oklahoma, fitojnë Lakersat dhe Memphisi
Vjen fitorja e parë sezonale në NBA për Oklahoma City Thunder, që mposhtën thellë 120-92 Golden State Warriors.
Një rezultat që certifikon nisjen shumë të keqe të sezonit nga skuadra e Steve Kerr, e cila duket shumë larg formës së viteve të fundit, ku ka siguruar 5 finale radhazi. Lamtumira e Durant dhe dëmtimi i Thompson janë vetëm disa nga arsyet e krizës, por perceptimi është që Golden State duhet të mendojë për një cikël krejt të ri dhe rruga për ta bërë duket shumë e gjatë. 23 pikë shënoi Stephen Curry për Warriors, ndërsa në radhët e Thunder 5 basketbollistë realizuan 10 ose më shumë pikë (më i miri Schroder me 22 pikë).
Koleksionuan fitoren e dytë Los Angeles Lakers, që iu imponuan 120-101 Charlotte Hornets. Një ndeshje e fituar në periodën e katërt nga të zotët e shtëpisë, pasi shënuan një rezultat të pjesshëm 33-21. Funksionon gjithnjë e më mirë dyshja LeBron James-Anthony Davis. I pari e mbylli me 20 pikë e 12 asistime, ndërsa i dyti me “double-double”, 29 pikë e 14 “rebound”.
Humbin sërish me vetëm një pikë diferencë në kohën shtesë Brooklyn Nets, që këtë radhë u dorëzuan mes zhgënjimit 134-133 ndaj Memphis Grizzlies, falë një trepikëshi të pabesueshëm të Jae Crowder para se të binte sirena për përfundimin e takimit. Superparaqitje në radhët e Grizzlies nga Ja Morant (30 pikë e 9 asistime). Për Nets nuk mjaftuan 37 pikët, 7 asistime dhe 7 “rebound” të Kyrie Irving.
121-119 fituan Portland Trail Blazerz ndaj Dallas Mavericks, falë CJ McCollum (35 pikë) e Damian Lillard (28 pikë), ndërsa për Dallasin, Luka Donqiq për pak realizoi “triple-double”, duke e mbyllur takimin me 29 pikë, 12 “rebound” dhe 9 asistime. Në sfidën e fundit të mbrëmjes, Miami Heat u dorëzuan ndaj Minnesota Timberwolves 116-109, që siguruan suksesin e tretë radhazi në po kaq ndeshje. /SS/
Rezultatet
Oklahoma – Golden State 120-92
Memphis – Brooklyn 134-133
Dallas – Portland 119-121
Minnesota – Miami 116-109
Lakers – Charlotte 120-101