Golden State shkruan historinë me finalen e pestë radhazi
Golden State plotëson pritshmëritë dhe kualifikohet për në finalen e madhe të kampionatit amerikan të basketbollit, NBA, për të pestin vit radhazi, diçka që nuk ndodhte prej 50 vitesh.
Skuadra kampione në fuqi fitoi edhe ndeshjen e katërt ndaj Portland Blazers me rezultatin 119-117, por këtë radhë e pati shumë më të vështirë sesa herët e tjera, pasi u desh të zgjidhte sfidën vetëm pas kohës shtesë. Në sfidën e zhvilluar në “Moda Center”, Warriors ishin sërish pa Kevin Durantin e dëmtuar, por mungesa e tij nuk u ndje edhe këtë radhë, kjo për meritë të të zakonshmit Stephen Curry, i cili zhvilloi sërish një ndeshje fantastike kundrejt Trailblazers, të cilën e mbylli me 37 pikë, 13 topa në tabelë e 11 asistime.
Por, Curry nuk ishte i vetëm në këtë fitore të skuadrës kaliforniane. Ai pati edhe ndihmën e Draymond Green, i cili regjistroi një bilanc me 18 pikë, 14 topa në tabelë e 11 asiste, ndërkohë që nuk duhet harruar as kontributi i Klay Thompson, edhe pse u duk si më në hije sesa shokët e tij të skuadrës, me 17 pikë, 6 topa në tabelë e 2 asistime, raporton ‘tch’.
Thompson ka meritën që shënoi pikët që vulosën fitoren e skuadrës së Golden State në sekondat e fundit të takimit. Ndërsa te Portlandi nuk mjaftuan 84 pikët e shënuar në total nga treshja Lillard, McCollum dhe Leonard, për të shtyrë festën e Golden State. Kjo e fundit pret e qetë përfundimin e duelit mes Milwaukeet dhe Torontos, me fituesin e të cilit do të diskutojë çështjen e titullit kampion të NBA-së.