‘Goli i Rodri ishte i parregullt’, trajneri i Gjeorgjisë i revoltuar pas eleminimint: ‘VAR’-i nuk po përdoret mirë
Pavarësisht se janë mposhtur me rezultatin e thellë, 4 me 1, nga “gjigantët” e Spanjës, “Kryqtarët” e Gjeorgjisë, me lojën e tyre të bukur dhe presingun e lartë, kanë mahnitur jo pak tifozët, në “Euro 2024”, mirëpo për teknikun e tyre, Willy Sagnol, gjërat mund të kishin shkuar ndryshe dhe në humbjen ndaj “Iberikëve”.
Gjeorgjianët kanë kaluar të parët në avantazh pas autogolit të Le Normand, por janë barazuar pa mbyllur pjesa e parë nga Rodri.
Një gol që ka shkaktuar diskutime pasi topi ka kaluar pranë “bomberit” Alvaro Morata, i cili ishte në pozicion jashtë loje dhe mund të ndikonte në fushëpamjen e portierit Mamardashvili. Sistemi “VAR” ka ndërhyrë dhe e ka kontrolluar këtë moment, teksa në fund është vendosur që goli të pranohej.
Pikërisht, ky episod nuk e ka lënë të qetë teknikun francez të “Kryqtarëve”, Willy Sagnol, i cili pas eliminimit ka theksuar se goli i Rodrit duhej anuluar, teksa ka shtuar se gjatë këtij Evropiani janë anuluar gola të ngjashëm, por jo në këtë rast nuk ndodhi e për të mbyllur gjithçka u shpreh se sistemi VAR nuk po përdoret ashtu siç duhet.
“Ishte një pozicion i qartë jashtë loje. ‘VAR’-i është një instrument i shkëlqyer, problemi është se nuk dinë ta përdorin siç duhet. Nuk e kuptoj përse goli i parë i Spanjës nuk u anulua për pozicion jashtë loje. Më këtë Evropian ka ndodhur që janë anuluar gola të ngjashëm, nuk më pëlqeu ajo që ndodhi. ‘VAR’-i nuk po përdoret mirë dhe në fund e paguajmë ne”, ka thënë Sagnol.