“Google” do t’i japë 1 000 dollarë secilit punëtor që punon nga shtëpia

27 maj 2020 | 10:43

“Google” po planifikon t’i rihapë zyrat e veta duke filluar nga 6 korriku, por shumë punëtorë mund të vazhdojnë të punojnë nga shtëpia deri në muajin shtator ose gjatë tërë vitit të ardhshëm, pasi pandemia e COVID-19 kërkon distancim shoqëror.

Ndërkohë, kompania me qendër në Kaliforni do ta paguajë secilin prej punëtorëve të vet me 1 000 dollarë, pasi ata vazhdojnë të punojnë nga shtëpia.

Siç njofton shefi ekzekutiv i “Google”, Sundar Pichai, kompania po ndërmerr një “qasje graduale” për kthimin e punëtorëve në zyra.

Kur disa nga zyrat e kompanisë do të rihapen në muajin korrik, do të kthehen vetëm rreth 10 për qind e kapacitetit të punëtorëve.

Sipas Pichait, në muajin shtator “Google” mund të shtojë deri në 30 për qind të kapaciteteve në zyrat e saj, por për shumicën e tyre puna në zyrë do të jetë vullnetare për pjesën tjetër të vitit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bayern Munchen e mposhti Borussia Dortmundin në derbi dhe ka…