“Google” paditet në ShBA për diskriminim të gjuhës shqipe
Gjiganti teknologjik “Google” është paditur në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë për mospërfshirjen e gjuhës shqipe në gjuhët e mbështetura nga “Google”.
Ky diskriminim ka pasur pasoja të mëdha në media, marketing, investime të huaja, zhvillim ekonomik dhe teknologjik në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që flitet gjuha shqipe.
Padia është ngritur nga Haki Dervishi – shtetas amerikan me banim në Palm Springs Kaliforni, i dekoruar rishtazi nga presidenti Biden me Dekoratën dhe Mirënjohjen Jetësore për kontribut të vazhdueshëm për kombin amerikan, dhe dr. Neshad Asllani – mjek i njohur kosovar, themelues i “Qendrës Kosovare për të Drejtat e Njeriut” dhe anëtar bordi në organizatën “Dekada për të Drejtat e Njeriut” në Nju-Jork.
Në njoftimin për medie, paditësit besojnë se diskriminimi i vazhdueshëm i gjuhës shqipe nga “Google” ka bërë që folësit e gjuhës shqipe të diskriminohen nga pjesa tjetër e Evropës dhe botës në zhvillimin e biznesit, në marketing dhe gazetari, pasi janë të përjashtuar nga platformat “Google Ads”, “Google Adsense” dhe “Google Admob”.
Kontributi i Dervishit dhe dr. Asllanit për Kosovën është shumëdimensional qysh nga fillimi i viteve të ‘90-ta.
Vlen të ceket, dokumentimi i shkeljes së të drejtave të njeriut dhe lobimi i vazhdueshëm në Kongresin Amerikan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Por sipas dr. Asllanit dhe Dervishit, angazhimi i tyre lobues dhe koordinimi i aktiviteteve për pranimin e Kosovës në Rotary International me 5 nëntor të vitit 2005 që rezultoi me njohjen e parë ndërkombëtare të Kosovës, do të mbetet një nga momentet më të ndritura të përkushtimit të tyre për kauzën kombëtare.
Dervishi dhe dr. Asllani gëzojnë një përkrahje të parezervë të miqve amerikanë për ta bërë të padrejtën të dukshme. Ata kanë angazhuar edhe avokatë Amerikanë për të paditur gjigantin “Google” në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë për diskriminim të gjuhës shqipe.
Dedikimi i Dervishit dhe dr. Asllanit për zhvillim të kombit dhe kontributi i tyre i vazhdueshëm për liri, paqe, barazi dhe mosdiskriminim shton besimin se “Google” do të shqyrtojë me interes këtë padi dhe konsiderojë shtimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare të mbështetur nga “Google”.
Kjo do të sjellë risi të mëtejshme të teknologjisë informative duke krijuar mundësi reale për zhvillim ekonomik, punësim, investime të huaja, marketing dhe informim cilësor duke iu mundësuar gazetarëve të bëjnë punën e tyre edhe më mirë.
Në njoftim theksohet se dr. Asllani dhe Dervishi gëzojnë përkrahje të jashtëzakonshme ndërkombëtare dhe mbesin të hapur për bashkëpunim me të gjithë të interesuarit për këtë çështje të rëndësishme për kombin tonë.