“Google” po hap faqe të veçantë për koronavirusin
Kompania gjigante amerikane, “Google”, ka njoftuar se është duke punuar me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara për zhvillimin e një uebfaqe mbarëkombëtare, e cila do të ofronte ndihmë për amerikanët, të cilët duan të informohen për simptomat e koronavirusit, faktorët e rrezikut dhe mënyrën e testimit.
“Jemi në bashkërendim të plotë dhe po vazhdojmë të punojmë me qeverinë amerikane për ta kufizuar përhapjen e virusit Covid 19, për t’i informuar qytetarët dhe për ta mbrojtur shëndetin e komuniteteve tona”, thuhet në deklaratën e kësaj kompanie.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e falënderoi të premten gjigantin e teknologjisë për zhvillimin e një faqeje, për të cilën ai tha se do t’i ndihmojë njerëzit për të vendosur nëse kanë nevojë të testohen për koronavirus, duke shtuar se 1 700 inxhinierë janë duke punuar për ndërtimin e faqes.
Menjëherë pas deklaratës së presidentit, vlera e aksioneve të kompanisë “Alphabet”, e cila është pronare e kompanisë “Google”, u rrit për më shumë se nëntë për qind, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.