Gorani: Nëse duam të vazhdojë dialogu me Serbinë, s’mund të shkojmë në zgjedhje
Deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dukagjin Gorani, ka thënë se nuk mund të kërkohet shkuarja në zgjedhje nëse duan të vazhdojë procesi i dialogut Kosovë – Serbi.
Gorani në tryezën e partive politike e cila është organizuar nga Vetëvendosja, ka thënë se në parim e përkrahin kërkesën për zgjedhje të reja, por ka sqaruar se tani ekzistojnë dy prioritete të mëdha politike në vend.
“Sot duket që dy fjalët kryesore janë prioriteti dhe konsensusi, prej asaj që po hetohet, shihet që ekzistojnë dy prioritete të mëdha politike në vend e të cilat përjashtojnë njëra-tjetrën, pra procesi i dialogut dhe domosdoshmëria e zgjedhjeve. Nëse duhet të vazhdohet dialogu, atëherë nuk mund të shkohet në zgjedhje. Nëse duhet të shkohet në zgjedhje do të jetë e pamundshme që të rifillohet dialogu”, ka theksuar Gorani.
Ai ka thënë se konsensusi për zgjedhje është i panevojshëm. “Konsensusi është i panevojshëm sepse partitë në pushtet nuk janë të interesuara për zgjedhje, ndërsa konsensusi për dialog del të jetë i domosdoshëm, por mbi të gjitha duhet të ketë konsensus në mes të opozitës të cilën së paku dy subjektet kryesore opozitare, LDK-ja dhe Vetëvendosje, duhet ta udhëheqin këtë proces, nëse ka koordinim opozita, atëherë do të jenë edhe numrat për rrëzimin e Qeverisë. Nuk kemi nevojë ta fitojmë pushtetin në tryezë”, është shprehur Gorani.
/Epoka e re/