Gorani për tekstin e ‘Slobodna-Bosnës’: Edhe ata që e kanë shkruar, e dinë që s’është i vërtetë
Sulmi i gazetës boshnjake “Slobodna Bosna” – e konsideruar gjerësisht si një makineri e lajmeve të rreme – kundër gazetave Nacionale dhe Persikopi qarkulloi me shpejtësi të dritës në profilet e mediave sociale të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes. Situata u përshkallëzua në nivele absurde e groteske kur ky lajm i pa verifikuar u citua në transmetimin qendror të lajmeve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe u postua në portalin e transmetuesit publik pa asnjë verifikim faktesh.
Në dritën e lajmit të rreme e të pafaktuar, kontribut të veçantë në tragjikominë e situatës dha padyshim figura kontroverse e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, e cila e ndezi më tej narrativën për – gjoja – kredibilitetin e mediumit boshnjak.
Brenda pak orëve pothuajse të gjithë gazetarët e Radiotelevionit publik u distancuan nga raportimi skandaloz i RTK-së, ku sulmohet gazeta Nacionale e Periskopi.
Për analistin Duagjin Gorani, identifikimi i zyrtarëve qeveritarë me këtë lajm “është një mënyrë demaskimi i vullnetshëm i tyre.”
“Si duket edhe prodhuesit e lajmit, edhe pse prodhuesi i lajmit këtu është një protal obskur, diku në Bosnje, i cili është unë mendoj edhe atje edhe këtu totalisht i parëndësishëm. Mirëpo, identifikimi i zyrtarëve publik të partisë në pushtet, identifikimi i zyrtarëve qeveritarë me qetë lajm është një mënyrë demaskim i vullnetshëm i tyre. Edhe në kuptim të dizajnimit, edhe të shpërndarjes së këtij lajmi. Aq shpejt me u identifiu me një lajm i cili është i rremë”, tha ai.
Sipas tij, mbetet jashtëzakonisht e vështirë që pretendimet e bëra në mediumin boshnjak të besohen nga vetë eksponentët e pushtetit.
“Nuk e di tash nëse përnime këta njerëz që e kanë shpërnda këtë lajm besojnë që Ilir Mirena paguhet prej Millan Radoiçiqit. Demek, a muden me pa në sy dhe me thënë; pernime besojnë që Ilir Mirena, koleg edhe mik i yni, ish luftëtar i UÇK-së, dhe që Berat Buzhala i ka marrë milionat prej Aleksandër Vuçiqit”, pohoi Gorani në “Pressing”.
Madje, sipas Goranit, edhe vetë dora e lajmit skajshmërisht kontraverz s’e beson përmbajtjen e atij artikulli.
“Tash, me gjithë respektin edhe ata që e kanë shkru këtë lajm, edhe ata që e kanë shpërnda këtë lajm, edhe ata që flasin edhe qesin postime nëpër rrjete sociale e dinë që kjo nuk është e vërtetë”, tha ai.
Gorani vlerësoi guximin e gazetarëve të RTK-së për t’u distancuar nga citati skandaloz i RTK-së.
“Për shembull, këqyre reagimin e njërit prej deputeteve të VV-së pas reagimit të bordit të RTK-së. Kur bordi i RTK-së vendo me e ndërru anën për shkak të presionit dhe distancimit masiv të gazetarëve të RTK-së për të cilët, për sëcilin veç e veç, e kam një mirënjohje publike për ta edhe për guximin e tyre.
Për mu distancomi i gazetarëve të RTK-së është i mjaftueshëm.” – tha Gorani.
Kujtojmë se edhe pas hulumtimit të Nacionales se “Slobodna Bosna” e cila njihet si një makineri e prodhimit të dezinformatave, lajmeve të paverifikuara e për qëllime sensacioni, eksponentët e pushtetit po vazhdojnë t’i referohen publikimit të artikullit.
Madje, deputetet e pushtetit kanë filluar sulme e linçime në drejtim të gazetarëve të Radiotelevizionit publik të cilët janë distancuar masivisht nga publikimi i këtij lajmi të paverifikuar.
Mediumi kontroverz ‘Slobodna Bosna’ mbush faqet për prodhim të lajmeve të rreme, manipulim të fakteve dhe dezinformimeve në platformën “Raskrinkavanje” të verifikimit të vërtetësisë së informacioneve dhe raportimeve në mediat në Bosnje-Hercegovinë; platformë kjo konfirmuar nga kompania “Meta” (që ka në pronësi Facebook-un, Instagram-in dhe WhatsApp-in).