Gorani: Serbët e shqiptarët nuk mund të bashkëjetojnë, duhet ripërkufizim në vija etnike

03 qershor 2021 | 23:29

Opinionisti, Dukagjin Gorani, ka thënë se në shtetin tonë serbët e shqiptarët nuk mund të bashkëjetojnë sepse të tillë janë si shoqëri.

Në emisionin Rubikon të Klan Kosovës ai u shpreh se për 21 vjet nuk është që s’ka pasur përpjekje e seminare për barazi etnike e për multikulturalitet, dhe se sipas tij, është lodhur edhe bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, por që as ne e as serbët s’e kemi ndërmend të largohemi prej pozicionit tonë identitar.

“Së pari duhet të kalohet nga asociacioni nja 3-4 vjet deri sa të shohim ne edhe bashkësia ndërkombëtare se ai asociacion ose ajo autonomi është e pamundur të funksionojë, dhe më pas gradualisht të nis procesi aty ku ishte dashur të përfundonte gjatë 2017-2018, e ajo është që t’i hyjë procesit të delimitimit ose ripërkufizimit, ashtu që një opsion multietnik dhe i avancuar evropian përfundimisht nuk mund të zbatohet në Ballkan për shkak të shoqërive ballkanike”.

“Ai qe flet për Kosovën multietnike e sidomos që është në politikë aktive në Kosovë, është një hap më shumë se mashtrimi. Kosova është vend fundamentalist ku përkatësia kombëtare e përkatësia etnike – është i vetmi send publik i cili diskutohet. Shoqëri multietnike, përkatësi fetare, kombëtare etnike, nuk diskutohen publikisht”.

“Ne kur e kemi çuar flamurin kuq e zi këtu, dhe flamurin e UÇK-së dhe kur ajo është shndërruar në një normë publike që ka zgjatur 20 vjet, ne e kemi treguar atë çka ne e mendojmë. Pra ne mendojmë që Kosova është vend shqiptar. Edhe serbët kur e kanë ngul flamurin në Graçanicë e Mitrovicë, edhe ata kanë treguar çfarë shoqërie janë – ata janë shoqëri sikur edhe ne, shoqëri të shekullit 19-të”.

“Shoqëritë tona, sikur ne e sikur serbët nuk mund te bashkëjetojmë se as ne e as serbët s’e kemi ndërmend të largohemi prej pozicionet tona identitare”.

“Duke qenë që zgjidhja e tillë evropiane nuk ka sukses, atëherë duhet të shkohet drejt ndonjë zgjidhjeje joevropiane, me siguri e shekullit 19, mirëpo një zgjidhje funksionale, e ajo është ripërkufizimi në vija etnike”.

“Për mua frika publike nga humbja e njëfarë integriteti territorial, etj, janë vetëm arsyetim e fshehje e frikës nga federalizmi me Shqipërinë. Njerëzit që ia kanë frikën afrimit me Shqipërinë ata thonë se po i dhimbset veriu – Leposaviqi e Zubin Potoku, i dhimbset integriteti territorial i një krahine, ish krahine kufijtë e së cilës nuk janë përcaktuar as me luftë çlirimtare e as nuk i ka përcaktuar Shqipëria, por i ka përcaktuar republika socialiste federative e Jugosllavisë”.

“Këta kufij që i ka sot Kosova, janë kufijtë qe i ka caktuar Jugosllavia. Nuk i shoh të shenjtë dhe të padiskutueshëm”.

“Unë jam i bindur që Serbia po ashtu pret që të zgjidhet ky problem dhe se jam i bindur që në interesin e Serbisë nuk është një autonomi territoriale”, deklaroi Gorani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë është arritur marrëveshja për formimin e një koalicioni të…