Gorbaçov: Boll më me shpenzime për armë

19 prill 2020 | 11:06

Nga Mikhail Gorbachev

Gjatë muajve të parë të këtij viti, ne kemi parë edhe një herë se sa e brishtë është bota jonë globale, sa i madh është rreziku i rrëshqitjes në kaos. Pandemia e COVID-19 po i përball të gjitha vendet me një kërcënim të përbashkët dhe asnjë vend nuk mund ta përballojë vetëm atë.

Sfida e menjëhershme sot është mposhtja e këtij armiku të ri, të mbrapshtë. Por njëkohësisht po sot, ne duhet të fillojmë të mendojmë për jetën tonë pasi pandemia të largohet. Shumë njerëz po thonë se bota nuk do të jetë më kurrë e njëjtë. Por si do të jetë? Kjo varet nga mësimet që do të nxjerrim.

Po sjell në vëmendje se si në mesin e viteve 1980, ne ecnim drejt kërcënimit bërthamor. Përparimi erdhi kur ne kuptuam se ai kërcënim ishte armiku ynë i përbashkët, një kërcënim për të gjithë ne. Drejtuesit e Bashkimit Sovjetik dhe SHBA deklaruan se një luftë bërthamore nuk mund të fitohej nga askush ndaj nuk duhej zhvilluar kurrë. Pastaj erdhi Reykjaviku dhe traktatet e para që eleminuan armët bërthamore. Por edhe pse deri tani 85% e atyre arsenaleve janë shkatërruar, kërcënimi është ende aty.

Bashkë me të edhe sfida të tjera globale kanë mbetur, madje janë bërë edhe më urgjente: varfëria dhe pabarazia, shkatërrimi i mjedisit, varfërimi i tokës dhe i oqeaneve, kriza e migracionit. Dhe tani, si një fat i zymtë vjen edhe një kërcënimi tjetër: një epidemi që në një botë globale, të ndërlidhur përhapet me një shpejtësi të paparë.

Përgjigja ndaj kësaj sfide të re nuk mund të jetë thjesht kombëtare. Ndërsa qeveritë kombëtare kanë tani barrën e marrjes së vendimeve të vështira, zgjidhjet do të duhet të ndërmerren nga i gjithë komuniteti botëror.

Deri më tani ne kemi dështuar në zbatimin e strategjive të përbashkëta për të gjithë njerëzimin. Përparimi drejt Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit, të miratuara nga OKB në vitin 2000, ka qenë jashtëzakonisht i pabarabartë. Ne shohim sot që pandemia dhe pasojat e saj po godasin veçanërisht të varfërit, veçanërisht duke përkeqësuar më tej problemin e pabarazisë.

Ajo që na duhet urgjentisht tani është rishikimi i të gjithë konceptit të sigurisë. Edhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, siguria nënkupton kryesisht aspektin ushtarak. Gjatë viteve të fundit, gjithçka që kemi dëgjuar është të flitet për armë, raketa dhe sulme ajrore.

Edhe këtë vit, bota ka qenë në prag të përleshjeve që mund të përfshijnë fuqi të mëdha, me armiqësitë serioze në Iran, Irak dhe Siri. Dhe, megjithëse pjesëmarrësit përfundimisht u tërhoqën, e njëjta politikë e rrezikshme gati na ka çuar në prag të vrasjes. A nuk është bërë e qartë sot se luftërat dhe armët nuk mund ti zgjidhin problemet globale? Lufta është tregues i humbjes, është dështimi i politikës.

Qëllimi kryesor duhet të jetë siguria njerëzore: sigurimi i ushqimit, ujit dhe një mjedisi të pastër dhe një kujdesi për shëndetin e njerëzve. Për ta arritur këtë, duhet të hartojmë strategji, të bëjmë përgatitje, të planifikojmë dhe të krijojmë rezerva.

Por të gjitha përpjekjet do të dështojnë sa kohë që qeveritë do të vazhdojnë të shpenzojnë para duke nxitur garën e armëve. Asnjëherë nuk do të lodhem së përsërituri: duhet të demilitarizojmë marrëdhëniet botërore, politikën ndërkombëtare dhe vetë të menduarin politik.

Për ta adresuar këtë në nivelin më të lartë ndërkombëtar, unë u bëj thirrje liderëve botërorë që të mblidhen një seancë urgjente dhe të posaçme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, e cila duhet të mbahet sapo të stabilizohet situata.

Dhe nuk do të bëjë asgjë më pak se sa rishikimin e axhendës globale. Konkretisht, unë u bëj thirrje atyre që të shkurtojnë shpenzimet ushtarake me 10 ose 15%. Kjo është më e pakta që duhet bërë tani, si një hap i parë drejt një vetëdije të re, një civilizimi të ri. /Time/Mapo

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ernest Hemingway Toronto Star Weekly/18 shkurt 1922 Nuk ka asgjë…