Gordani: Projekti TAP nuk është thjeshtë një tubacion që sjell gaz
Lorenc Gordani, këshilltar për çështjet e energjisë pranë delegacionit të Bashkimit Evropian ka thënë se projekti TAP nuk është thjeshtë një tubacion që sjell gaz, por e kthen Shqipërinë në një qendër furnizimi.
Ai ka thënë se kjo jo vetëm që forcon sigurinë energjetike të vendit por edhe hapë mundësi të mëdha investimi duke krijuar zinxhir vlerash për shumë industri.
“Me fillimin e operacioneve tregtare të TAP më 15 nëntor 2020, gazi ka arritur në Greqi dhe Bullgari, si dhe në Itali, përmes pikës së ndërlidhjes Melendugno Rete Gas (SRG). Paralelisht po ecet me projektin e Gazsjellësit Jonik Adriatik (IAP) dhe atë midis Shqipërisë-Kosovës. Ka mundësi edhe për impiante të magazinimit të gazit, që mund të lidhen me rrjetin rajonal të gazit dhe Shqipëria mund të sigurojë depo rajonale për vendet e tjera të Ballkanit. Për këto zona interes kanë paraqitur shumë kompani”, ka deklaruar ai.
Gordani ka theksuar se konsumi i gazit natyror në Shqipëri është minimal. “Mund të themi se sot konsumi i gazit natyror në vendin tonë është në nivelin shumë minimale dhe vjen kryesisht përmes bombolave të gazit, dhe përdoret për qëllime industriale, si dhe rrjeti aktual i tubacioneve të gazit prej 498 km, i cili është kryesisht jo operacional. Master Plani i Gazit në Shqipëri, i përgatitur ne kuadër të finalizimit të projektit TAP parashikon rritjen e konsumit në vend deri ne 1.6 bill/m3 deri në vitin 2040. Ky vlerësim kaq optimist mund të fillojë duke thëne se Shqipëria ka një traditë historike në gazin natyror. Konsumi u ul nga 1 bm3 në 1982 në 0,01 bm3 në vitet e fundit (rreth 77000 m3 në 2019). Numri i përgjithshëm i puseve të gazit të shpuar është mbi 500, por ai aktiv në rreth 20 puse. Sigurisht, zhvillimet e fundit te sektorit të hidrokarbureve në veçanti zbulimi i Shell-it kane sjelle në rezerva te reja shoqëruese me naftën”, ka thënë ai, duke shtuar se zhvillimi i sektorit të gazit natyror është vulosur tashmë me zgjedhjen midis katër projekteve pretendente të tubacionit Trans Adriatik që transporton gazin e Azerbajxhanit përmes Greqisë dhe Shqipërisë në Itali dhe pjesën tjetër të BE-së. / ScanTv