GP i AAK-së sot organizon diskutim për sigurinë në vend
Grupi parlamentar i AAK-së do të organizojë sot një tryezë diskutimi për sigurinë pas sulmeve në veri të vendit.
Sipas njoftimit, ky diskutim do të mbahet në Kuvendin e Kosovës duke filluar nga ora 11:00.
Më 24 shtator Policia e Kosovës u sulmua nga një grup kriminelësh serbë në Banjskë të Zveçanit, me ç’rast mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar dje se do të paraqes dëshmi të reja që tregojnë se në sulm janë përfshirë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ministri i Mbrojtjes së Serbisë dhe shefi i komandës së ushtrisë së Serbisë.
Siç ka bërë me dije ai, përgatitjet e sulmit janë bërë në bazën e trajnimeve ushtarake që gjendet afër Kopaunikut.
Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje që fajtorët të sillen para drejtësisë.