Grabitje e armatosur në “Veternik”, lëndohet një person
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në lagjen “Veternik” në Prishtinë ka ndodhur një grabitje e armatosur në filialin e një banke.
Përmes një komunikate për medie, policia ka njoftuar se grabitja është realizuar nën kërcënimin e armëve, ku tre persona të maskuar kanë sulmuar fizikisht një nga zyrtarët e bankës.
“Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nën kërcënimin e armëve, ku tre persona të maskuar, kanë grabitur një sasi të parave, kanë sulmuar fizikisht një nga zyrtarët e bankës dhe pasi kanë shtënë njëherë në ajër, janë larguar nga vendi i ngjarjes”, është thënë në komunikatën e policisë, duke shtuar se personi i lënduar (zyrtare e bankës), është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërkohë që policia po punon me përkushtim për të identifikuar personat e dyshuar dhe vendndodhjen e tyre.
“Drejtoria Rajonale e Policisë, Prishtinë, ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër krimit, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve të akteve kriminale si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike, andaj ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale e veçanërisht për rastin e sipërshënuar të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tillë”, është thënë në komunikatën e Policisë së Kosovës.
/Epoka e re/