Grabovci: Aksioni i pajtimeve të gjaqeve pati krijuar terenin për formimin e UÇK-së
Njëri nga nismëtarët e aksionit për pajtimin e gjaqeve, Adem Grabovci, ka përkujtuar tubimin e mbajtur të Verrat e Llukës, në të cilin 29 vite më parë ishin falur mbi 100 gjaqe.
Grabovci ka thënë së aksioni i pajtimit të gjaqeve pati krijuar parakushtet për forminin e UÇK-së.
“Para 29 vitesh, më 1 maj 1990, së bashku me katër nismëtarët tjerë Have Shala, Ibrahim Dreshaj, Lulëzim Etemaj dhe Myrvete Dreshaj, në bashkëpunim të ngushtë me bashkëveprimtarin dhe bashkëluftëtarin tonë, njërin nga veprimtarët më të njohur të kësaj ane, Jashar Salihu, kryetar i Këshillit të Pajtimit në Deçan, organizuam tubimin për faljen e gjaqeve te Verrat e Llukës. Mbi 100 gjaqe, plagë dhe ngatërresa të falura, mbi 500 mijë shqiptarë të tubuar, ky ishte epilogu i atij tubimi madhështor. Ky tubim e çoi edhe një hap më tej unifikimin e popullit tonë që po arrihej dhe forcohej çdo ditë përmes pajtimit të gjaqeve, duke krijuar kështu parakushtet e domosdoshme dhe terrenin e përshtatshëm për formimin e UÇK-së, lufta e së cilës, si kurorëzim i të gjitha përpjekjeve dhe sakrificave të gjeneratave të tëra të popullit tonë, solli çlirimin, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës”, ka shkruar Grabovci në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/