Grabovci: Aksioni i pajtimit të gjaqeve unifikoi popullin për çlirimin e Kosovës
Njëri nga nismëtarët e aksionit të pajtimit të gjaqeve, Adem Grabovci, ka përkujtuar tubimin e mbajtur te Verrat e Llukës ku ishin falur mbi 100 gjaqe.
Ai ka thënë se ky tubim kishte unifikuar edhe më tutje popullin e Kosovës për liri.
“Ky tubim e çoi edhe një hap më tej unifikimin e popullit tonë që po arrihej dhe forcohej çdo ditë përmes pajtimit të gjaqeve, duke krijuar kështu parakushtet e domosdoshme dhe terrenin e përshtatshëm për formimin e UÇK-së, lufta e së cilës, si kurorëzim i të gjitha përpjekjeve dhe sakrificave të gjeneratave të tëra të popullit tonë, solli çlirimin, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës”, ka shkruar Grabovci në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Grabovcit:
Para 32 vitesh, më 1 maj 1990, së bashku me nismëtarët e Pajtimit të Gjaqeve, nga rinia studentore dhe në bashkëpunim të ngushtë me bashkëveprimtarët e tjerë, organizuam tubimin për faljen e gjaqeve te Verrat e Llukës. Mbi 100 gjaqe, plagë dhe ngatërresa të falura, mbi 500 mijë shqiptarë të tubuar, ky ishte epilogu i atij tubimi madhështor.
Si mund të ndjehet një zemër që shtrëngon atë dorë e cila ia ka vrarë djalin, babanë, apo cilindo të dashur? Sa forcë duhet të ketë një shpirt që prek atë dorë e cila me veprimin e saj ka lënë fëmijë jetimë, ka përlotur sytë e atyre femrave që u bënë nëna dhe pastaj jetuan pa i thirrur askush me emrin “nanë!”. Motivi për liri – ky është shkaku i gjithë lëvizjes së njeriut në botë. Vrojtojmë se liria ka të bëjë me tri përmasa: liri trupore, mendore dhe shpirtërore.
Ata që duan të të pushtojnë, të të dobësojnë, të të shfrytëzojnë, gjithnjë kërkojnë plagën tënde të brendshme në mënyrë që lehtësisht të jesh i nënshtruar në fillim fizikisht e pastaj psiqikisht dhe shpirtërisht. Përkushtimi ynë më i rëndësishëm ishte mbyllja e kësaj plage në mënyrë që të rrugëtojmë të bashkuar.
Ky tubim e çoi edhe një hap më tej unifikimin e popullit tonë që po arrihej dhe forcohej çdo ditë përmes pajtimit të gjaqeve, duke krijuar kështu parakushtet e domosdoshme dhe terrenin e përshtatshëm për formimin e UÇK-së, lufta e së cilës, si kurorëzim i të gjitha përpjekjeve dhe sakrificave të gjeneratave të tëra të popullit tonë, solli çlirimin, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.