Grabovci akuzon Kurtin: Ishte kreator i trazirave
Ish-shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, në seancën gjyqësore ndaj kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në vitin 2016, ka thënë se nuk i kujtohet që ndonjëherë Konjufca të ketë hedhur gaz lotsjellës, derisa fajin ia ka hedhur kryeministrit Albin Kurti, që atëkohë ishte deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Nuk më kujtohet asnjë rast kur Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës. Jam i gatshëm të dëshmoj kundër Albin Kurtit i cili ka qenë kreator i këtyre trazirave”, ka theksuar Grabovci.
Sipas aktakuzës, i Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviç, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë, raporton “Betimi për Drejtësi”
Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.
Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.