Grabovci: Jepini fund izolimit, miratojeni demarkacionin

23 shkurt 2018 | 15:11

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit ta votojnë marrëveshjen për ratifikimin e demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Grabovci ka thënë se me votimin e kësaj marrëveshje do t’i jepej fund izolimit të qytetarëve të Kosovës. “Miratimi i demarkacionit nuk është vetëm interes i një grupimi politik, por interes i çdo qytetari pa dallim bindje politike apo etnike. Në këtë drejtim duhet të jemi unikë. Prandaj është koha e fundit që Kosova ta kalojë demarkacionin, duke i hapur rrugë liberalizimit të vizave dhe proceseve të tjera integruese”, ka thënë Grabovci.

Ai ka thënë se mbajtja pezull e këtij procesi dëmton interesat e qytetarëve të Kosovës dhe të vendit në raport me miqtë ndërkombëtarë. “Mbajtja pezull e këtij procesi dëmton rëndë interesat e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Po ashtu, mbajtja pezull e këtij procesi dëmton edhe raportet tona me miqtë ndërkombëtarë, ShBA-në, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Dua të besoj se deputetët e Kuvendit pa dallime partiake do të veprojnë në favor të interesit shtetëror, duke votuar pro demarkacionit, i cili do t’i jepte fund izolimit të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Grabovci.

Ish-shefi i grupit parlamentar i PDK-së ka pohuar se sikur të ishte deputet do ta votonte demarkacionin me Malin e Zi. “Pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, është hequr çdo dilmë sa i përket këtij procesi, pasi një dakordim i tillë lejon mundësinë që, nëse ka pasur lëshime eventuale, të korrigjohet demarkacioni”, është shprehur Grabovci.

“Epoka e re”: Z. Grabovci, të enjten, në mungesë të konsensusit, ka dështuar mbajtja e seancës së jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Kjo seancë është paraparë të mbahet të premten. Si e vlerësoni këtë proces dhe si do të duhej të sillen deputetët e Kuvendit në raport me këtë marrëveshje?
Grabovci: Procesi i ratifikimit të demarkacionit është stërzgjatur mjaft. Unë i kuptoj deputetët se në të kaluarën mund të kenë pasur dilema rreth kësaj teme. Edhe unë kam pasur. Por, pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, është hequr çdo dilmë sa i përket këtij procesi, pasi një dakordim i tillë lejon mundësinë që nëse ka pasur lëshime eventuale, të korrigjohet demarkacioni. Mbajtja pezull e këtij procesi dëmton rëndë interesat e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Po ashtu, mbajtja pezull e këtij procesi dëmton edhe raportet tona me miqtë ndërkombëtarë, ShBA-në, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Dua të besoj se deputetët e Kuvendit, pa dallime partiake, do të veprojnë në favor të interesit shtetëror, duke votuar për demarkacionin, i cili do t’i jepte fund izolimit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Miratimi i demarkacionit nuk është vetëm interes i një grupi politik, por interes i çdo qytetari pa dallim bindje politike apo etnike. Në këtë drejtim duhet të jemi unikë sikurse kemi qenë në të kaluarën. Prandaj është koha e fundit që Kosova ta kalojë demarkacionin duke i hapur rrugë liberalizimit të vizave dhe proceseve të tjera integruese e zhvillimore.

“Epoka e re”: Nga kjo marrëveshje, a humbet Kosova territor?
Grabovci: Askush nuk është i interesuar t’i falet tokë dikujt. Deklaratat se po i falet tokë Malit të Zi janë absurde dhe të pamatura. Në këtë drejtim nuk është mirë të luhet me ndjenjat e qytetarëve. Me ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, pjesë e së cilës është edhe deklarata e dy presidentëve, i hapet rrugë rishikimit të pikave kufitare kontestuese me Malin e Zi. Prandaj nuk është mirë dhe nuk duhet të shpiken tema të ndryshme. Gjërat duhet t’i themi ashtu siç janë.

“Epoka e re”: Po të ishit deputet, do ta votonit këtë marrëveshje?
Grabovci: Sa isha deputet kam pasur dilema rreth kësaj teme. Thashë dhe më parë se pas nënshkrimit të deklaratës në mes të dy presidentëve, do ta votoja këtë marrëveshje, sepse mundësohet rriskimi i pikave kontestuese të kufirit me Malin e Zi. Prandaj, dua të them se çdo herë kam vepruar në interes të kombit, të shtetit dhe në interes të qytetarëve të vendit tim. Edhe këtë herë do të veproja në interes të qytetarëve, shtetit dhe në interes të zhvillimit të gjithëmbarshëm. Votimi i demarkacionit është akt patriotik dhe në interes të shtetit të Kosovës dhe hapjes së mundësive të reja.

“Epoka e re”: Z. Grabovci, si jeni duke e parë punën e koalicionit qeverisës, pjesë e të cilit është edhe PDK-ja?
Grabovci: Personalisht kam pritur më shumë nga ky koalicion. Kam pritur të ketë veprime më të shpejta me kalimin e temave të mëdha, siç janë demarkacioni dhe ushtria. Po ashtu, kam pritur se do të ketë cilësi më të lartë qeverisëse. Ky koalicion ka kapacitete për të bërë më shumë dhe duhet të bëjë. Dua të besoj se pas kalimit të demarkacionit, ky koalicion do të fokusohet me shumë në tema të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit.

“Epoka e re”: Opozita është duke i kritikuar në vazhdimësi veprimet e Qeverisë Haradinaj, madje është duke e quajtur Qeveri të varur nga Beogradi.
Grabovci: Opozita ka të drejtë të kritikojë. Kjo është detyra e saj. Opozita e tanishme është e zhurmshme, por e paalternativë. Ju e dini se PDK-ja gjatë kohës sa ka qenë në opozitë ka qenë mjaft konstruktive, sidomos në temat nacionale. Në këtë aspekt opozita e tanishme është dekonstruktive. Opozita nëse e do aq shumë Kosovën, atëherë duhet ta përkrahë Qeverinë në tema nacionale, siç janë demarkacioni, ushtria, integrimet evropiane etj.

“Epoka e re”: Z. Grabovci, në fund të vitit të kaluar kishte një iniciativë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, por më vonë pati një tërheqje nga kjo iniciativë. Cili është qëndrimi juaj për këtë gjykatë?
Grabovci: Historiku i Gjykatës Speciale është i gjatë. Ju e dini se fillimisht Raporti i Dick Martit nuk është marrë seriozisht nga ana e institucioneve të vendit. Ne nuk kemi arritur ta kundërshtojmë qysh në fillim këtë raport, i cili, për mendimin tim, ka qenë dhe mbetet kryekëput politik dhe i ndikuar nga Serbia dhe Rusia. Ky raport, edhe pse skandaloz dhe me përplot të pavërteta, është miratuar në Këshillin e Evropës. Pas miratimit të këtij raporti ne kemi qenë para aktit të kryer, ku është dashur të veprojmë. E kam thënë vazhdimisht se Gjykata Speciale është një padrejtësi historike ndaj popullit të Kosovës dhe UÇK-së por, për hir të proceseve, e kemi përkrahur. Iniciativa për zhbërjen e kësaj gjykate ka qenë e pamenduar mirë dhe e vonshme. Ju i keni parë reagimet edhe të miqve ndërkombëtarë. Tani ajo çfarë duhet të bëjmë ne është ta mbrojmë në mënyrë dinjitoze luftën e UÇK-së. Kemi argumente të mjaftueshme për ta bindur këtë gjykatë se pretendimet e dala nga Raporti i Dick Matit janë të pabaza, absurde, të ndikuara dhe politike. Nuk ka gjykatë në botë që mund ta gjykojë luftën e drejtë të UÇK-së, e cila ka qenë çlirimtare dhe mbrojtëse.

“Epoka e re”: Me çfarë jeni duke u marrë kohët e fundit?
Grabovci: PDK-ja është në proces të brendshëm zgjedhor. Në këtë kontekst jam duke u takuar me struktura të kësaj partie dhe me njerëz të ri të cilët kanë shprehur vullnetin t’i bashkohen vizionit të PDK-së. Pra, fokusi im është në mobilizimin dhe fuqizimin e PDK-së, e cila do të vazhdojë të jetë prijatare e proceseve të ardhshme, të cilat janë në interes të shtetit dhe të qytetarëve.

Faton DERMAKU

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bodrumet e verërave të shtetit të Kosovës janë duke i…