Grabovci kërkon që çështja e veteranëve të kthehet në pikën zero
Njëri nga themeluesit e UÇK-së, Adem Grabovci, ka folur për numrin e veteranëve të UÇK-së, publikimin e listës së veteranëve dhe zgjidhjen e këtij problemi.
Grabovci ka thënë se në listën e publikuar ka parë shumë veteranë që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën e UÇK-së.
“T’ju them të drejtën, publikimi i këtyre listave nuk besoj që na ka bërë të ndihemi mirë dhe krenarë. Nuk dua të lëshohem shumë në atë se kush është veteran i vërtetë apo kush nuk është i tillë, por në këto lista kam parë veteranë të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në çlirimin e Kosovës. Një trajtim i tillë i kësaj çështjeje kaq të ndjeshme nuk i bën nder askujt, aq më pak luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe bartësve të kësaj lufte”, ka thënë Grabovci në një intervistë për “FaktePlus”.
“Si njëri nga themeluesit e UÇK-së, e them me përgjegjësi të plotë morale dhe politike se UÇK-ja është aseti me i çmuar kombëtar. Dhe, këtë aset të gjithë kemi përgjegjësi që ta ruajmë dhe assesi ta lëndojmë çdo ditë. Falë luftës se UÇK-së, sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Pavarësisht kësaj, nuk ka individ e as formacion politik që mund ta zhvleftësojë luftën dhe luftëtarët e UÇK-së”, ka thënë ai.
Grabovci ka theksuar se me publikimin e listës së veteranëve u bë shkelja e privatësisë, derisa në të u futën edhe ish-ushtarë të UÇK-së me të cilët ka bashkërrugëtuar deri këtu.
“E thash edhe më herët se në këtë listë kam parë veteranë të vërtetë të UÇK-së, të cilët nuk kanë kursyer asgjë nga vetja e tyre që ne sot të jemi të lirë. Në këtë listë kam parë edhe bashkëluftëtarë me të cilët kemi rrugëtuar deri këtu ku jemi sot. Unë jam që e vërteta të dalë në shesh, por në asnjë mënyrë që të bëhen etiketime dhe akuza në drejtim të luftës çlirimtare. Jam kundër shkeljes së normave juridike, siç ka ndodhur në këtë rast, ku nuk është respektuar privatësia”, është shprehur Grabovci.
Ai mendon se ka pasur lëshime në procesin e verifikimit të veteranëve të UÇK-së, por thekson se duhet të evitohen ato lëshime që të mos i humbet mundi askujt.
“Institucionet e Kosovës, punën e verifikimit të veteranëve të UÇK-së ia kanë besuar një Komisioni qeveritar, i cili si udhërrëfyes ka pasur Ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre. Ky ligj ka përcaktuar qartë edhe kategorizimin për të gjitha kategoritë e dala nga lufta. Por, shtrohet pyetja se a ka pasur lëshime në këtë proces? Mendoj se ka pasur. Këto lëshime duhet të evitohen, dhe jam i bindur se do të gjendet një zgjidhje e cila nuk do t’ia hupë mundin akujt që ka kontribuar për çlirimin e Kosovës”, ka thënë tutje Grabovci.
Duke qenë se vjen nga rajoni i Dukagjinit, Grabovci ka folur edhe për numrin e ushtarëve të UÇK-së që ka pasur Zona e Dukagjinit.
“Nuk dëshiroj të flas me shifra, sepse aq shumë është krijuar mjegull në këtë drejtim, saqë qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një gjë të tillë. Nuk dua t’i hyjë në hak askujt, por dua të them se të gjithë e dimë se sa ushtarë ka pasur Kosova gjatë luftës çlirimtare”, u shpreh ai.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së mendon se këtë problem nuk e zgjidh drejtësia, derisa ka dhënë një propozim se si do të zgjidhej ky problem.
“Nuk besoj se drejtësia mund t’i jep epilog kësaj teme kaq të ndjeshme. Unë mendoj se zgjidhja e kësaj teme është rikthimi në pikën zero. Pra, kjo çështje duhet të trajtohet nga fillimi. Në këtë proces nuk mund të ketë përgjegjësi kolektive, por individuale. Aty ku ka pasur lëshime, duhet të ketë edhe përgjegjësi”, ka thënë ai.
“Por, unë nuk mund ta fajësojë Komisionin shtetëror për verifikimin e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, pasi ky komision për mendimin tim është marrë vetëm me administrimin e të dhënave që kanë ardhur nga zonat operative të UÇK-së. Prandaj, kjo çështje duhet të trajtohet me seriozitet dhe nuk duhet t’i hyhet në hak askujt”, ka thënë Grabovci.